Të mbështeten ndërmarrjet dhe të mos përjashtohen punëtorët, me këtë qëllim ishte vendosur masa për pagë prej 14.500 denarëve për një të punësuar, si pjesë e pakove ekonomike të Qeverisë për zbutjen e pasojave nga kriza e koronës. Sipas kompetentëve, kjo kishte ndikim pozitiv dhe nuk kishte përjashtim të punëtorëve, por analizat treguan se një pjesë e madhe e punëtorëve nuk e kanë marrë pagën.

Fillimisht masa është vendosur për muajt prill dhe maj, si periudhë në të cilën ishte më i madh ndikimi i krizës, por Qeveria e vazhdoi edhe në qershor.

Ministrja e Financave Nina Angellovska, e vlerësoi masën 14.500 denarë si mbështetje për një të punësuar që mund të shpëtojë mijëra vende të punës.

E paramenduar që t’u japë mbështetje financiare punëdhënësve për pagesën e pagave të punëtorëve, me këtë masë, siç deklaroi ministrja, u ndihmohet edhe punëtorëve, të vetëpunësuarve dhe punëdhënësve – të cilët krijojnë vende të punës dhe të gjithë së bashku kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe të cilët do të duhet të tejkalojnë këtë periudhë dhe të jenë të gatshëm për fazën e rikuperimit. Ndërsa rikuperimi pa punëtorët nuk është i mundshëm.

Këtë masë mund ta shfrytëzojnë të gjitha ndërmarrjet që kanë të ardhura të zvogëluara prej mbi 30 për qind në prill dhe maj, krahasuar me mesataren e muajve në vitin e kaluar, të mos paguajnë dividendë ose bonuse gjatë shfrytëzimit të masës, të mos ketë mbi 120.000 denarë pagë neto të mbi 10 për qind të punëtorëve.

Dedikimi ishte për të gjithë të punësuarit që kanë pagë neto deri 39.900 denarë dhe për të gjithë drejtorët dhe pronarët me pagë neto deri 39.900 denarë.

Kishte mundësi që ndërmarrjet ta shfrytëzojnë edhe për të punësuarit për të cilët kanë subvencionimi të kontributeve për rritjen e pagave.

Përmes masës 14.500 në tre muajt mbështetje kanë marrë mes 17.000 dhe 20.000 kompani.

Masa është realizuar përmes Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Sipas të dhënave që në konferencën për media i njoftoi drejtoresha Sanja Llukarevska në prill mbështetja financiare u është dhënë 19.780 punëdhënësve të cilëve u janë paguar një miliard e 793 milionë e 207 mijë e 630 denarë, për gjithsej 128 mijë 315 të punësuar.

Mbështetje financiare për muajin maj kanë marrë 19.938 punëdhënës me shumë të përgjithshme prej 1 miliardë 666 milionë 373 mijë 597 denarë, për gjithsej 119.182 të punësuar.

Në qershor 2020 mbështetje financiare është dhënë për 17905 kompani me shumë prej 1 miliardë 404 milionë 470 mijë e 647 denarë, për gjithsej 101 mijë e 148 të punësuar.

Analizat që i bëri ky institucion treguan se një pjesë e ndërmarrjeve e kanë marrë mbështetjen nga shteti, por ajo nuk ka përfunduar te të punësuarit për paga.

Më shumë se 700 ndërmarrje nga vendi, pjesa më e madhe e tyre nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Kumanova, kanë kërkuar mbështetje nga shteti përmes masës për pagesën e pagës për të punësuarit për shkak të krizës së koronës, por paratë nuk ua kanë dhënë të punësuarve.

Në prill, sipas të dhënave të publikuara, 281 punëdhënës kanë marrë mbështetje në shumë prej 9 milionë e 995 mijë e 565 denarë, ndërsa nuk e kanë përmbushur obligimin për pagesën e pagës për 722 të punësuar.

Në maj këtë e kanë bërë 427 kompani, të cilat nuk kanë paguar fare pagë për 984 të punësuar, ndërsa kanë marrë mbështetje financiare në shumë prej 13,698,998 denarëve. Njëqind e njëzet kompani, sipas të dhënave, prej tyre nuk e kanë përmbushur obligimin që ndihmën e marrë për të punësuarit ta paguajë edhe për dy muajt.

Ndërmarrjet më të shpeshta që nuk e kanë paguar ndihmën e pranuar janë ndërmarrjet e mesme, të vogla dhe mikro, ndërsa në mesin e veprimtarive janë ato të tregtisë, përgatitjes së racioneve dhe shërbimit të ushqimit, sektori i ndërtimtarisë, prodhimtaria e veshjes, emetimi i programit, objekte për akomodim, transport, arsim dhe ngjashëm.

Për prill nga veprimtaria tregtare me pakicë 62 ndërmarrje, që kanë pranuar ndihmë financiare prej 1.715.262 denarëve në 126 të punësuar nuk kanë paguar pagë, nga veprimtaria përgatitje të racioneve dhe shërbim të ushqimit 43 ndërmarrje kanë marrë ndihmë prej 1.249.452 denarëve dhe 95 të punësuarve nuk u kanë paguar pagë për muajin prill, nga veprimtaria transport 24 ndërmarrje, kanë marrë ndihmë prej 630.750 denarë dhe 44 të punësuarve nuk u kanë paguar pagë për muajin prill, nga veprimtaria ndërtimtari 17 ndërmarrje kanë marrë ndihmë prej 660,738 denarë dhe 48 të punësuarve nuk u kanë paguar pagë për muajin prill. Këtu përfshihen edhe veprimtari për prodhimtarinë e veshjeve, tregtarë me pakicë dhe shumicës, emetim të programit, objekte për akomodim etj.. Sipas rajoneve më së shumti ndërmarrje që nuk kanë paguar pagë janë: në Shkup 84, në Tetovë 38, Strugë 20, Gostivar 23 dhe Kumanovë 16.

Në muajin maj numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve që nuk e kanë paguar ndihmën që e kanë marrë për paga për të punësuarit 84 janë nga veprimtaria e tregtisë me pakicë të cilët kanë marrë ndihmë financiare prej 2.160.248 denarë dhe 160 të punësuarve nuk u kanë paguar pagë, 66 ndërmarrje nga veprimtaria përgatitje e racioneve dhe shërbim të ushqimit kanë marrë ndihmë prej 2.052.240 denarë dhe 150 të punësuarve nuk u është paguar pagë për muajin мај, 35 ndërmarrje nga veprimtaria e transportit kanë marrë ndihmë prej 920.750 denarë dhe 65 të punësuarve nuk u ka paguar pagë, gjashtë ndërmarrje janë nga veprimtaria e ndërtimit të ulët ndërmarrje që kanë marrë ndihmë prej 1.087.500 denarë dhe 77 të punësuarve nuk u kanë paguar pagë për muajin maj.

Ndërmarrjet tjera që nuk kanë paguar paga për muajin maj 2020, ndërsa për të njëjtat kanë marrë mbështetje financiare janë nga veprimtaritë ndërtimtari, prodhimtari, tregti me shumicë dhe pakicë, emetim të programit, etj. Sipas rajoneve më së shumti ndërmarrje që nuk kanë paguar pagë për muajin maj janë nga Shkupi: 110 ndërmarrje, Tetova 61, Struga 28, Gostivari 34, Kumanova 21, Strumica 10 dhe Manastiri 15.

Kompanive u janë dërguar paralajmërime për shkak të mospërmbushjes së obligimeve nga dekreti, afatet kanë skaduar për pagesë, por nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, bëjnë thirrje që t’i paguajnë dhe ta përmbushin obligimin, para se të zbatohen veprimet e parashikuara ligjore.

Lista e emrave të kompanive të cilave u është paguar ndihma, ndërsa nuk u është paguar të punësuarve është publikuar tashmë.

Analiza e azhurnuar e ndihmës së papaguar shtetërore për pagë minimale nga ana e punëdhënësve shfrytëzues të kësaj ndihme është e kapshme në linkun si vijon: https://vlada.mk/sites/default/files/dokumenti/analiza-neplateni_fin_poddrska_finalno_0.pdf

Drejtoresha e DAP-it Sanja Llukarevska theksoi se punëdhënësve që kanë shfrytëzuar mbështetje financiare, ndërsa nuk kanë bërë pagesë të pagës u janë dërguar paralajmërime dhe siç paralajmëroi nëse nuk bëjnë pagesën në afatin e përcaktuar, do të vijojë zbatimi i procedurës së pagesës së dhunshme të pagës. Përveç kësaj, shtoi ajo, Ligji për kontribute nga sigurimi i detyrueshëm social në këtë rast parashikon shqiptimin e gjobave për kundërvajtje të kryer, ndërsa punëdhënësi do të jetë i obliguar t’i kthejë në tërësi mjetet financiare që i ka marrë, bashkë me interesin, në procedurën e zbatuar të DAP-it në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës.

Punëdhënësve të cilët kanë shfrytëzuar mbështetje financiare, ndërsa nuk kanë kryer pagesë nëse nuk i bëjnë pagesat në afatin e përcaktuar, do të vijojë zbatimi i procedurës së pagesës së dhunshme të pagës. Në mënyrë plotësuese, në përputhje me Ligjin për kontribute nga sigurimi i detyrueshëm social në këtë rast është parashikuar gjobë për kundërvajtje të kryer, ndërsa punëdhënësi do të jetë i obliguar t’i kthejë në tërësi mjetet financiare që i ka marrë, bashkë me interesin, në procedurën e zbatuar të DAP-it në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës.

– Drejtoria e të Ardhurave Publike, ka në dispozicion të dhëna të hollësishme për shfrytëzimin e mbështetjes financiare dhe me zgjuarsi e ndjekë gjendjen e shfrytëzimit të masave, por edhe respektimin e obligimeve nga ligji. Të dhënat për kompanitë të cilat kanë marrë mbështetje financiare, e nuk e kanë përmbushur obligimin për pagesë të pagës do t’i dorëzohen Sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë si bartës i masës dhe pagues të mbështetjes financiare, prej ku të njëjtat do të mund të shpallen edhe publikisht, tha Llukarevska.

Ajo u bëri thirrje të gjithë punëdhënësve që t’i shfrytëzojnë të drejtat nga Dekreti për mbështetje financiare, por edhe t’i respektojnë obligimet e përcaktuara në këtë dekret, Ligjin për kontribute nga sigurimi i detyrueshëm dhe Ligji për marrëdhënie të punës.

– U bëj thirrje të gjithë punëdhënësve që nuk e kanë respektuar këtë dispozitë ligjore që ta bëjnë këtë ndaj të punësuarve të tyre, meqë qëllimi ishte që të ruhen vendet e punës, e jo paratë t’i marrin punëdhënësit. Ta bëjnë këtë para se të shpallen publikisht, theksoi Llukarevska.

Zëvendëskryeministrja për çështje ekonomike Milla Carovska porositi se pagat duhet t’u paguhen punëtorëve urgjentisht.

– Duhet të tregohet përgjegjësi nga ana e kompanive. Është bërë një lëshim i madh dhe gjithsesi do të ndodhë sanksionimi i kompanive. Në këtë moment, Sekretariati i përgjithshëm është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë juridike, janë duke u ngritur të gjitha elementet e mundshme, theksoi Carovska.

Shoqata dhe sindikata kërkuan nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) të bëjë pagesën e dhunshme të pagave, ndërsa kompanitë të gjobiten.

– I dënojmë fuqishëm të gjithë punëdhënësit që kanë marrë mbështetje financiare nga shteti, ndërsa nuk e kanë përmbushur obligimin për pagesën e pagës për të punësuarit e tyre. Qëllimi i mbështetje financiare shtetërore e përcaktuar me dekretin e Qeverisë për përballje me krizën e shkaktuar nga Kovid-19 ishte që të ruhen vendet e punës e të punësuarve, e jo punëdhënësit të përfitojnë në mënyrë të paligjshme në kurriz të punëtorëve gjatë krizës më të madhe shëndetësore, sociale dhe financiare me të cilën jemi duke u përballur. Konsiderojmë se sjellja e këtillë e punëdhënësve është e palejueshme, e padrejtë, e paligjshme dhe johumane, bënë të ditur në kumtesën.

Shoqatat dhe sindikatat kërkuan që DAP pa prolongim dhe në afatin më të shkurtër të mundshëm, në përputhje me autorizimet e saj ligjore, të ushtrojë pagesë të dhunshme të pagave të punësuarve në ndërmarrjet që kanë marrë mbështetje financiare shtetërore, ndërsa nuk e kanë përmbushur obligimin për pagesën e pagës në muajt për të cilët kanë marrë mbështetjen ose kanë paguar më pak pagë për ata muaj.

Ata kërkuan nga Prokuroria Themelore Publike të nisë procedurë sipas informacionit të marrë kundër të gjithë punëdhënësve të cilët kanë marrë mbështetje financiare shtetërore, ndërsa nuk u kanë paguar paga punëtorëve të tyre për vepër të kryer mashtrim sipas nenit 247 të Kodit penal.

Masa 14.500 denarë për paga për një të punësuar është pjesë e setit të dytë të masave ekonomike të Qeverisë për përballje me krizën, ndërsa qëllimi është që të mbështetet likuiditeti i punëdhënësve nga sektori privat, gjegjësisht ulen shpenzimet e tyre për paga në funksion të mbrojtjes së vendeve të punës të punëtorëve në kushte të krizës.

Sipas evidencës së Agjencisë së punësimit në prill 8587 persona kanë përvetësuar statusin e personit të punësuar, ndërsa në maj 8852 persona. Kjo shifër në mars ka qenë 4399. Numri i persona të papunë deri në mars ka qenë 107.732 persona, në prill 114.762 dhe në maj 121187 persona.

Mbështetja e parashikuar përmes tri pakove të masave ekonomike kundër krizës që i ndërmori Qeveria për qytetarët dhe ekonominë janë me vlerë të përgjithshëm prej 500 milionë euro.

Ministrja e Financave Nina Angellovska javën e kaluar njoftoi se qytetarëve dhe ndërmarrjevе nga kjo mbështetje e parashikuar tashmë u janë paguar 140 milionë euro ndihmë shtetërore edhe atë 40 milionë ndaj qytetarëve dhe 100 milionë ndaj ndërmarrjevе.

– Për qytetarët kartelë pagesore vendore për më shumë se 330.000 qytetarë – 28.3 milionë euro, vauçerë për turizëm vendor për më shumë se 117.000 qytetarë – 12 milionë euro, për artistët e mëvetësishëm – 65.000 euro, për sportistët 400.000 euro dhe kompensim në para për papunësi – 50 për qind të pagës së fundit mestare neto 810.000 euro, njoftoi ministrja.

Për kompanitë, shtoi ajo, përmes masës 14.500 denarë mbështetje financiare për më shumë se 130.000 të punësuar në më shumë se 19.500 ndërmarrje – 83,3 milionë euro, kredi pa interes përmes Bankës Zhvillimore – mbështetje për 1.331 ndërmarrje dhe më shumë se 16.600 të punësuar deri tani 12,7 milionë euro, subvencionim të 50 për qind të kontributeve deri në pagë mesatare për

kompanitë e prekura, për më shumë se 2500 kompani – 1,4 milionë euro dhe lirim nga pagesat paraprake për tatimin e fitimit dhe tatimin e të ardhurave personale për më shumë se 1500 obligues tatimor rreth 2 milionë euro.