Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nga sot do të nisë zbatimi i masave të reja anti COVID-19, ndërsa ka paralajmëruar sanksione ligjore për qytetarët që nuk i respektojnë këto masa.

Zemaj ka thënë se masat e reja janë vendosur për shkak të situatës së krijuar nga rritja e rasteve me coronavirus dhe jo nga dëshira, transmeton Telegrafi.

“Mosrespektuesit e rregullave do të kenë sanksione ligjore. Në mbikëqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e inspektorateve (Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë etj). Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente”, ka thënë ai.

Tutje, ministri në shkrimin e bërë ka njoftuar për masat e ndërmarra:

“MASAT PARANDALUESE

Për të parandaluar virusin është vendosur që të ndalohet lëvizja në disa komuna gjatë orarit të caktuar, reduktim të numrin të të punësuarve në institucione, reduktim të shërbimeve shëndetësore jo esenciale në institucione shëndetësore, krijim të kapaciteteve të reja testuese në regjione, licencim të institucioneve shëndetësore private për të kryer testime për Covid-19, blerje të 100,000 testeve virologjike, 500,000 vaksinave të gripit sezonal, porosi të vaksinës eventuale kundër Covid-19, blerje të 7 aparateve për testim, sigurim të terapive të Covid-19, pagesë dhe buxhet shëndetësor shtesë për personelin shëndetësor, pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor, etj.

Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid-19” që do të zbatohet menjëherë.

KAPACITETET: Institucionet shëndetësore do të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për të trajtuar rastet me Covid-19, do të riorganizohen klinikat në SHSKUK-së, do të krijohen kapacitetet shtesë me shtretër në spitalet rajonale, në institucionet private shëndetësore do të krijohen kapacitete shtesë më shtretër, do të riorganizohet dhe rritet personeli mjekësor shëndetësor, mobilizimi stafit mjekësor në nivel vendi, në veçanti shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet Covid-19.

Ju lutemi respektoni masat mbrojtëse”, thuhet në shkrimin e ministrit.

Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 3 mijë e 508, 1 mijë e 902 prej të infektuarve janë shëruar, kurse janë regjistruar edhe 75 raste të vdekjeve të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Aktualisht, në vendin tonë raste aktive janë 1 mijë e 531.