Komuna e Tetovës nuk e di ende, nëse do të lëshohet në përdorim shkolla fillore e sapondërtuar në Reçicë të Vogël, pasi sipas tyre ka punë të papërfunduara, mes të cilave nuk është bërë pranim-dorëzimi nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kjo e fundit nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Përveç se nuk është bërë pranim- dorëzimi nga ana e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, udhëheqësi i sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Nazmi Dauti tha se kanë edhe disa probleme teknike në regjistrimin në kadastër, ku janë në komunikim me sektorin për urbanizëm dhe personat të cilët kanë bërë rregullimin e dokumentacionit për regjistrimin e kësaj shkolle.

Nazmi Dauti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nazmi Dauti, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
“Mendoj që deri në shtator të shohim mundësi që edhe komuna të mund të bëjë rregullimin e oborrit të shkollës pasi ministria ka furnizuar shkollën me inventarë, mirëpo nuk mund ta lëshojmë një objekt që nuk ka mure rrethues apo qasja është mes rrugës kryesore dhe hyrjes në shkollë. Nëse ne brenda këtij pushimi vjetor do të mund të sigurojmë murin rrethues dhe të ofrojmë kushte optimale dhe të sigurta për fëmijët, dhe nëse bëjmë pranim-dorëzimin nga Ministria e Arsimit do ta lëshojmë në përdorim. Nëse nuk bëhet pranim-dorëzimi, ne si komunë nuk do të marrim përgjegjësinë të lëshojmë atë në funksion”, tha Dauti.

I pyetur se pse nuk është bërë pranim-dorëzimi, Dauti me 14 qershor u përgjigj kështu:

“Jemi drejtuar te Ministria me kërkesë por nuk kemi pasur përgjigje, brenda kësaj jave do drejtohemi edhe njëherë me shkresë zyrtare. Në momentin që do kemi informacion nga ministria, do ta njoftojmë opinionin.”

Ai tha se pa e pasur dokumentin final për pranim-dorëzimin, nuk munden të fillojnë me investime në atë objekt, pasi objekti duhet të kalojë nga ministria në pronësi të komunës.

“Në momentin që do të bëjmë pranim-dorëzimin nga ana e Ministrisë së Arsimit, do duhet të shohim në atë investim që e ka bërë sektori për investime kapitale në kuadër të ministrisë, a është paraparë edhe rregullimi i oborrit të shkollës apo është paraparë vetëm ndërtimi i objektit dhe furnizimi i të njëjtit me inventar shkollor, në rast se nuk është paraparë rregullimi i oborrit të shkollës dhe rrethoja e shkollës, atëherë patjetër ne si komunë që do ndërmarrim hapat e mëtejshëm që t’i sigurojmë murin rrethues dhe rregullimin e oborrit që nxënësit të jenë të sigurt”, shtoi Dauti.

Ndërkaq Ministria e Arsimit dhe Shkencë, e pyetur nga Portalb.mk se pse ende nuk është bërë pranim-dorëzimi dhe a është i paraparë edhe rregullimi i oborrit të shkollës në investimin e ministrisë apo vetëm ndërtimi i shkollës dhe furnizimi me inventarë shkollor, vendosën të mos përgjigjen, edhe pse ditën e premte na thanë se do të përgjigjen brenda ditës pasi personat kompetent për informacionin e kërkuar janë në terren. Të njëjtat ja përcollëm edhe ministrit, por edhe ai nuk ktheu përgjigje.

Shkolla shumë e pritur, premtuar dhe e stërdiskutuar në Reçicë të Vogël u përfundua në muajin shtator, dhe u hap në mënyrë simbolike vetëm për klasën e parë që filloi me 1 shtator të vitit që e lamë pas.

Ndryshe, kjo shkollë u ndërtua pas 9 viteve premtime parazgjedhore. Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.