Matematika që e bën Hillary Clinton presdiente të SHBA-ve

Në shtetin Wisconsin janë duke u përgatitur për një rinumërim të votave pasi Jill Stein, kandidate e Partisë së Gjelbër, edhe zyrtarisht ka paraqitur kërkesën për të filluar procedurën e rinumërimit. Sipas paralajmërimeve nga ekipi i saj, së shpejti rinumërimi mund të ndodhë edhe në Michigan dhe Pennsylvania, që shikohet si një mundësi e re për Hillary Clinton.

Hillary Clinton nuk ka nevojë që të kërkojë rinumërim të votave sepse Stein e ka bërë tashmë atë. Por vetëm rinumërimi apo edhe fitorja në Wisconsin, nuk e bën presidente Clinton. Fitorja e Clinton në Wisconsin, ku Trump fitoi me vetëm 27.000 vota më shumë (ose 0.8 për qind më shumë), do të jetë vetëm fillimi dhe shpresa për të ndryshuar rezultatin në favor të saj edhe në Michigan dhe në Pennsylvania.

Shanset matematikore dhe teorike ekzistojnë, por në realitet ato nuk janë aq të mëdha. Në mënyrë që Hillary Clinton të fitojë shumicën në Kolegjin Elektoral, i cili praktikisht do t’i siguronte 99 për qind inaugurimin më 20 janar, është e nevojshme një matematikë fatlume për të.

Situata është kështu:

Numri i përgjithshëm i elektorëve në nivel të Shteteve të Bashkuara është 538. Sipas rezultateve aktuale Donald Trump ka fituar 290 ndërsa Hillary Clinton 232 elektorë. Kur të mblidhen votat e elektorëve që fituan Clinton dhe Tramp, në totalin prej 538, mbeten 16, aq vota elektorale sa ka Michigan, shteti që ende nuk e ka shpallur rezultatin zyrtar e ku mund të shkohet në rinumërim të votave.

Nëse Hillary është fituese në Michigan, rezultati duket kështu: Donald Trump – 290, Hillary Clinton – 248. Pastaj vendimi varet prej Pennsylvania (20 vota elektorale) dhe Wisconsin (10 vota).

Nëse Trump fiton në Michigan, rezultati është 306 ndaj 232, që do të thotë se Hillary nuk ka asnjë shansë edhe nëse del fituese në dy vendet e tjera ku votat do të numërohen përsëri.

Pra Michigan mund të jetë shteti që definitivisht cakton fituesin, por para numërimit në Michigan, votat do të numërohen përsëri në Wisconsin.

Çka vendosë Wisconsin?

Është shteti që u përmend i pari për rinumërim të votave e që jep vetëm 10 elektorë. Fitorja në Wisconsin për Clinton nuk do të sjellë asgjë, por as për Trump, sepse sipas rezultatit aktual, 10 votat elektorale të atij shteti tashmë janë përfshirë në shumën totale, dhe në qoftë Trump i humbë ato, rezultati do të ishte 280 në krahasim me 242, që përsëri nuk është i mjaftueshëm për demokratët.

Wisconsin, pra, nuk i sjellë fitoren zonjës Clinton por ajo fitore i duhet shumë. Shteti më i rëndësishëm, megjithatë, është Pennsylvania, sepse ka numrin më të madh të votave elektorale (20) por vetëm me këto vota nuk mjafton për Clinton. Wisconsin plus Pennsylvania përsëri nuk janë të mjaftueshme nëse Trump fiton në Michigan, prandaj Clinton i duhet të fitojë në të tri shtetet.

Nëse ndodh që rezultati nuk ndryshon pas rinumërimit të votave, Hillary ka ende një shansë, shumë më të vogël se me skenarin e rinumërimit të votave.

Gjithçka më tej varet nga elektorët të cilët mund të ndryshojnë rezultatin. Elektorët në fund të procesit zgjedhor takohen si një trup i vetëm i quajtur Kolegji Elektoral, detyra e të cilit është për të konfirmuar zgjedhjen e një presidenti të ri. President bëhet kandidati që fiton një shumicë të thjeshtë në Kolegjin Elektoral, ku elektorët delegojnë votat e tyre ashtu siç është votuar në shtetin prej nga vijnë. Nga ky rregull është një përjashtim ashtu që elektorët e disa shteteve janë të lirë për të ndryshuar vendimin e tyre apo edhe të mos votojnë për ndonjërin kandidat. Megjithatë, kjo në historinë e zgjedhjeve amerikane pothuajse nuk ndodh.

Kolegji Elektoral mblidhet në mes të dhjetorit, kur definitivisht do të dihet se kush do të përurohet më 20 janar si President i 45-të i Shteteve të Bashkuara./GazetaExpress/