Shqiptarët në Ballkan nuk kanë qenë në asnjë etapë historike më mirë se tani kur kemi zhvillim ekonomik në Shqipëri, Kosovë, më pak në Maqedoni, por ecim drejt një qëllimi, i cili ishte dhe ideal i çdo luftëtari – të ndalet boshti i mbizotërimit antishqiptar që vinte nga Athina dhe Beogradi të stimuluara nga mega-qendra Rusia, që kishte vetëm një qëllim, e ai qëllim ishte t’i lë shqiptarët pa ekonomi, pa qeveri, pa institucione sociale-arsimore dhe ekonomike të mirëfillta. Unë tani ndjehem triumfues, sepse e kemi mposhtur këtë bosht pan-sllav, i cili nuk e donte Shqipërinë euroatlantike, Kosovën shtet me synime për integrime euroatlantike dhe një Maqedoni që synon perëndimin me shqiptarët si faktor i rëndësishëm brenda saj

Ruzhdi Matoshi u lindi më 6 mars të vitit 1970. Dyndjet e mëdha të popullatës shqiptare, në vitet e 50-ta e shpërngulin familjen Matoshi në Shkup, pastaj në Tetovë, ku edhe rritet ai. Studimet i nis në Prishtinë, për shkak të trazirave, do t’i vazhdojë në Tiranë, për agronomist, në vitin 1996. Gjatë studimeve themelon shoqatën “Dardania”, në Tiranë, misioni i së cilës ka qenë për mbrojtjen e interesave studentore, në të gjithë territoret e ish Jugosllavisë, të banuar me shqiptar, të cilët studionin në Shqipëri. Ai bëri përpjekje që diplomat e studentëve të nostrifikohen e të njihen në shtetin amë. Ky mision i mundëson Matoshit dhe shumë studentëve të tjerë të kontaktonin përfaqësuesit partiak, për të marrë mendimin e tyre. Në këtë kohë do të jetë edhe takimi me Arbën Xhaferin, ku edhe kyçet si aktivist i politikës. Në vitin 2000 do të zë vendin e nënkryetarit në Komunën e Shtërpcës, në Republikën e Kosovës. Si pjesëmarrës aktiv me politikë, ai do të zë vendin edhe të deputetit në Parlamentin e Maqedonisë, në vitin 2002 deri më 2008. Ka marrë pjesë në dy luftëra. Në vitin 1998, me qëllim të mbrojtjes së tokës shqiptare në Kosovë, ai bëhet pjesë e UÇK-së. Më vonë (në vitin 2001), u kyç edhe në konfliktin në Maqedoni. Sot, pas studimeve universitare, në Prishtinë dhe doktoraturën në Universitetin “Kiril dhe Metodij”, Shkup, Matoshi ligjëron në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, ku edhe e ka marrë vendin e dekanit.

 

KOHA: Në vitin 1998, me qëllim të mbrojtjes së tokës shqiptare, në Kosovë, ju ishit pjesë e UÇK-së. Më vonë (në vitin 2001), ju u kyçët edhe në konfliktin në Maqedoni. Na tregoni pak më shumë për pjesëmarrjen tuaj në këto lufta?

MATOSHI: Frymëzimi është një element që mbillet ndër vite. Si familje edhe ne i kemi ndjekur të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit, nëpër të cilat kalonte populli ynë. Padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar në periudhën e ish Jugosllavisë dhe gjatë shpërbërjes së saj na kalitnin dhe na frymëzonin që të jemi pjesë e lëvizjeve të asaj kohe. Si gjimnazist kam marrë pjesë në shumë demonstrata dhe protesta të vitit ‘89, ‘90 në Kosovë dhe Maqedoni, ku në njërën anë ndodhte shpërbërja e RSF të Jugosllavisë dhe nga ana tjetër, zhvillimet ishin me tendenca për mbajtjen e popullit shqiptar nën robëri. Deri në vitin 1998 ndodhën dhe shumë ngjarje e përpjekje të popullit tonë për zgjidhje paqësore, por lufta e Adem Jasharit, ishte lajm për çdo patriot dhe shqiptar se ka ardhur koha, se më nuk mund të qëndronim si spektatorë të ngjarjeve, por filloi procesi më sublim në trojet tona – lindja e mekanizmit ushtarak, nën siglën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK, ku në pranverën e vitit ‘98 edhe unë i krijova kontaktet e para me strukturat e UÇK-së dhe menjëherë iu bashkëngjita, qëndrova në disa qendra përgatitore në veri të Shqipërisë si në Kukës, Tropojë etj. Ndërsa në vjeshtën e vitit 1998, së bashku me 140 ushtarë të UÇK-së, u bëmë pjesë e zonës operative të Pashtrikut në kuadër të Brigadës 123 të batalionit të 3 e mora detyrën e Komandantit për planifikim dhe operacione, ku operuam në Qytetin e Therandës dhe fshatrave të saj. Në pranverën e vitit ‘99 me urdhër të Shefit për operacione të Shtabit qendror të UÇK-së, vazhdova operimin në Batalionin e logjistikës pranë zonës operative të Nerodimes deri në hyrjen e forcave të NATO dhe çlirimin e Kosovës nga forcat okupatore serbe ,të udhëhequra nga diktatori Millosheviç. Ndërsa në luftën e vitit 2001, po ashtu, që nga fillimi kam qenë pjesë e saj, meqë lindi domosdoshmëria për ndërtimin e indit organizativ dhe konstituiv të shqiptarëve të Maqedonisë dhe duhej të tregojmë se kemi kapacitet të marrim fatin tonë në duart tona, ndryshimet kushtetuese janë të bollshme që ne ta ndërtojmë jetën dhe ta japim kontributin tonë në Maqedoni, si faktor i rëndësishëm në frymën e pulsit shtetëror të Maqedonisë duke qenë pjesë e vendimmarrjes politike.

 

KOHA: A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend ta pyetni veten: po pse luftova? Kuptohet, kur keni qenë në ndonjë gjendje zhgënjyese?

MATOSHI: Këtë pyetje asnjëherë nuk ia kam parashtruar vetes. Kemi rezultate, kemi dhe dëshpërime, amerikanët kanë një shprehje “të ecim me hapa të breshkës, por drejt qëllimit“. Shqiptarët në Ballkan nuk kanë qenë në asnjë etapë historike më mirë se tani kur kemi zhvillim ekonomik në Shqipëri, Kosovë, më pak në Maqedoni, por ecim drejt një qëllimi, i cili ishte dhe ideal i çdo luftëtari – të ndalet boshti i mbizotërimit antishqiptar që vinte nga Athina dhe Beogradi të stimuluara nga mega-qendra Rusia, që kishte vetëm një qëllim, e ai qëllim ishte t’i lë shqiptarët pa ekonomi, pa qeveri, pa institucione sociale-arsimore dhe ekonomike të mirëfillta. Unë tani ndjehem triumfues, sepse e kemi mposhtur këtë bosht pan-sllav, i cili nuk e donte Shqipërinë euroatlantike, Kosovën shtet me synime për integrime euroatlantike dhe një Maqedoni që synon perëndimin me shqiptarët si faktor i rëndësishëm brenda saj. Dëshpërime, po. Kemi dhe dëshpërime, sot patrioti më i madh për mua është politikani i pakorruptuar dhe i pakriminalizuar, dhe hapësirës shqiptare tani, më tepër se kurrë, i nevojiten organe të mirëfillta të drejtësisë që ta shporrim politikën e korrupsionit dhe të çlirohemi nga hipokritët, të cilët e kanë gojën plot patriotizëm, ndërsa punojnë për dreqin. Nuk dua asnjë herë t’i besoj thënies se “Trimat vdesin në luftë, hajnat e hanë shtetin, spiunët e gëzojnë”. Pas çdo lufte, pavarësisht se sa zgjat ajo, gjithsesi që vjen paqja, po qoftë ajo edhe e brishtë.

 

KOHA: Pra, Lufta dhe Paqja, ç’domethënie kanë për njerëzimin, përkatësisht për popullin shqiptar?

MATOSHI: Shqiptarët nga antika si Ilir e këndej, kanë qenë paqedashës. Luftërat na janë imponuar. Popujt tjerë të Ballkanit kanë probleme me historinë dhe trashëgiminë në Ballkan, ndërsa ne aspak, ato vazhdojnë të kenë politika ekspansioniste, synojnë të marrin nga populli shqiptarë tokë, kulturë dhe gjithçka, ndërsa ne nga ta asgjë. Luftërat e fundit të Shqiptarëve janë për vendosjen e drejtësisë në rajon, nuk do të mund të ketë paqe pa u vendosur shanset e barabarta për tërë rajonin. Tani keni shumë më pak të tillë që besojnë në luftëra në Ballkan dhe shumë më shumë kemi të tillë që e duan paqen dhe zhvillimin. Kjo tregon se domethënia e paqes është kuptuar mirë në këtë rajon të trazuar ndër vite dhe asnjëherë mos të vjen më lufta.

 

KOHA: Kur për herë të parë jeni takuar me përfaqësuesin politik të ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmetin. Si ka qenë ai takim?

MATOSHI: Në vitin 2001, para se të fillojë lufta kam qenë në Kosovë në drejtimin e një Komune në saje të nënkryetarit të komunës. Informacionet se do të fillonte lufta në Maqedoni ishin të bollshme dhe që në fillimin e saj kam qen pjesë organizative, në fshatin Brodec u emërova përgjegjës i kampit përgatitor. Në pikën e Gurit të Sidollit 22 ditë kam punuar në përgatitjen e kësaj pike, si një pikë strategjike ku pasivizonim forcat maqedonase, të cilat qëndronin në Kodrën e Diellit dhe ne fund të qershorit morra pozitën e Zëvendëskomandantit të Batalionit të parë në Brigadën 112 Mujdin Aliu dhe i zhvilluam aktivitetet përgatitore dhe luftarake nga Drenoveci deri në fshatin Jazhincë në kufi me Kosovën. Për figurën e Ali Ahmetit kishim njohuri më herët, më kishin fol shumë aktivistë dhe personalitete që merreshin me kauzën tonë, shumë nga anëtarët të LPK-së si Rexhep Halimi, Ali Halimi, Shaban Viça, Isak Sherifi e shumë të tjerë prandaj, unë personalisht kisha njohuri, ndërsa takimi i parë ka qenë në Shipkovicë. Unë kam qenë i zgjedhur nga Hoxha i Prizrenit për aktivitete luftarake të domosdoshme, të cilat duhej të ndërmerren në bazë të rrethanave dhe zhvillimeve të luftës dhe si grup një kohë kemi qëndruar shumë afër shtabit qendror ku takimet kanë qenë edhe të shpeshta. Papërgjegjësia në luftë është më e madhe se çdo aktivitet në jetën, shihja tek Ali Ahmeti shqetësimin lidhur me atë se si zhvillohen aktivitetet, ai merrte orë e çast informata nga tereni dhe kishte 100 për qind përkushtim për barrën që e kishte marrë.

 

KOHA: Po me liderin e ndjerë të PDSH-së, Arbën Xhaferi? Si e mbani në mend takimin e parë me të?

MATOSHI: Takimi i parë me Arbën Xhaferi ishte në vitin 1995 në zyrat e Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve. Ishim një grup studentësh që ndërpremë studimet në Prishtinë për shkak të gjendjes atje dhe vazhduam në Tiranë dhe kishim formuar Shoqatën studentore “Dardania”. Morëm iniciativë të kontaktonim liderët partiakë, për të marrë mendimin e tyre për nostrifikim dhe njohjen e studimeve të cilat i kishim në përfundim e sipër. Takim mbresëlënës. Arbni impononte dijen në politik-bërje, na tha t’i përfundojmë studimet më shpejt dhe t’i kyçemi aktivisht politikës, sepse na presin procese dhe sfida nga të cilëve në të shumtën e rasteve duhet tu përgjigjemi si popull. Folëm për shumë tema, më së paku për nostrifikimin e diplomave.

 

KOHA: Pse familja Juaj nga Kosova u vendos në Tetovë?

MATOSHI: Janë vitet 1950/58 kur ndodhi dyndja e madhe e popullatës shqiptare drejt Turqisë, nën mbështetje të politikës fashiste të Jugosllavisë. Në këto vite ministri i Brendshëm i Jugosllavisë, Rankoviç, aktivizoi dhunën dhe shtetin me pretekstin e kërkimit të armëve, ndërsa shteti turk ende e kishte aktive Marrëveshjen me mbretërinë e Jugosllavisë, të nënshkruar më 1939 në Lozanë për depërtimin e 40 mijë familjeve shqiptare nga trojet e veta drejt Turqisë. Rasti i familjes sime është i ngjashëm me atë të shumë familjeve të tjera, të cilat nën trysni të pushtetit të atëhershëm, u detyruan të lëshojnë trojet. Gjyshi im, Rakip Matoshi, ka qenë prijës i tre fshatrave dhe thirret në Preshevë, për një takim me një avokat të kohës, i cili thirrej Abdulla Presheva. Avokati krijon besim te gjyshi im dhe i drejtohet me këto fjalë “ti qenke burrë i besës dhe i fjalës, merri këta letra që t’i jap unë dhe digji në zjarr se janë shumë të këqija për popullatën tuaj atje”. Fjala është për letrat që janë quajtur VISIKA dhe që kanë shërbyer si leje për hyrje në Turqi në bazë të Marrëveshjes së Lozanës. Familja ime në vitin 1955 qëndron për një vit në Shkup dhe pas një viti zhvendosen në Tetovë, ku jetojmë edhe sot dhe në numër jemi mbi 150 anëtarë.

 

KOHA: Çfarë mund të veçoni nga fëmijëria Juaj? Në fakt, si ishte ajo pjesë e jetës? MATOSHI: I takoj një familjeje tradicionale shqiptare. Në kujtesën time të fëmijërisë shumë hapësirë zënë aktivitetet familjare, i mbaj shumë mirë të parët e prindërve të mi dhe janë të papërshkrueshme mësimet e jetës që na i jepnin, “çka bën dhe çka nuk bën”, si duhet të respektohet më i madhi, plaku të ndihmohet, të huajën mos e merr, dhe shumë e shumë thënie tjera të cilat na bënin më të vetëdijshëm. Veçori të cilën asnjëherë nuk mund të harroj, është Oda e burrave të cilën e kemi pasur. Te familja ime ajo ka funksionuar falë gjyshit, Rakip Matoshi, i cili njëkohësisht ishte dhe Pleqnar i kohës, si ndërmjetësues pajtimtar të kontesteve familjare që ndodhnin te shoqëria shqiptare, ndërsa si fëmijë kam bërë shërbesën në Odën e gjyshit. Duhet të përmendim diçka që sot nuk është si atëherë. Në kohën tonë ne ishim shumë në numër. Jemi 4 vëllezër dhe dy motra, familjet tona ishin përplot me fëmijë, loja nuk na mungonte asnjëherë.

 

KOHA: A ju kujtohet mësuesi juaj i parë? Shokët dhe shoqet e gjeneratës. Ku janë sot ata. A mund të na veçoni ndonjërin që ka bërë karrierë të mirë?

MATOSHI: Mësuesja ime e parë ka qenë mësuesja e foshnjores 76/77. Ishte mësuesja Elena, një shqiptare ortodokse. Kurrë nuk mund të harroj qasjen e saj prej mësueses, e cila fliste dhe komunikonte me një shqipe te pastër dhe të artikuluar mirë. Po ashtu dua të përmendi dhe mësuesin Hasip të fillores, i cili kishte një vendosmëri që nxënësit të merrnin sa më shumë edukatë. Nga shokët e shkollës kam shumë, me të cilët takohemi edhe sot, të cilët janë dhe me karrierë të bujshme, si Rexhepi i cili mbaroi elektroteknikën dhe tash është pronar i një fabrike, Elviri avokat, Azami një tregtar i devotshëm, Ibraimi është në USHT, etj.

 

KOHA: Mbiemri Matoshi është i përhapur bukur shumë në Kosovë, por edhe në Maqedoni (Tetovë e Shkup). Matoshët mund të gjesh në shumë qytete. A ekziston ndonjë lidhje farefisnore më e hershme apo kjo ndërlidhet me diçka tjetër?

MATOSHI: Është e vërtetë që mbiemri Matoshi është shumë i përhapur në Kosovë, Shqipëri, ndërsa në Maqedoni më pak. Gjenealogjia e këtij mbiemri është e vjetër dhe me sa duket duhet të rrjedh nga termi gjeografik i rajonit të MAT-it të veriut të Shqipërisë, por nuk duhet të përjashtojmë se dhe në Dalmaci të Kroacisë funksionon edhe sot ky mbiemër si Matoshi dhe Matosheviç. Është për ta veçuar se pushteti komunist i RSF Jugosllavisë, ka pasur tendencë që këtë mbiemër sa më pak ta posedojnë shqiptarët prandaj ka shumë më shumë familje me mbiemrin Matoshi, por ju duhet procedura për rikthimin e mbiemrit të vërtetë. Ndërsa sa i përket afërsisë farefisnore, kemi me Matoshët në Ferizaj, Shtërpcë dhe Shkup më larg jo.

 

KOHA: Ju jeni marrë aktivisht edhe me politikë, duke qenë edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë? Çfarë në fakt, sipas Jush, po ndodh sot me shoqërinë shqiptare?

MATOSHI: Politika është mjet i rëndësishëm për t’i rritur interesat e një populli, ndërsa kur ajo interpretohet jashtë rregullave dhe pa mision i zvogëlon interesat e popullit. Nuk dua të besoj se populli ynë ndodhet në krizë të besimit të përfaqësuesve të vet politik, sikur politika dhe përfaqësuesit e saj dhe kërkesat e qytetarëve janë dy realitete që nuk bashkëveprojnë, problemet janë të kamotshme dhe të reja. Prej shumë premtimeve të parealizuara nga Marrëveshja e Ohrit e deri te uji për pije në Tetovë, nga politika e kotë me tre emrat e shkollave e deri te një oxhak fabrike, zbatimi i një projekti miliardësh një etnik Shkupi 2014, me të cilin shkelet ligji e Kushtetuta, askush nuk ndërmerr asgjë. A duhej të përdoret mekanizmi i Badinterit, ku është ky mekanizëm kur kemi majorizim në shumë sfera të arsimit, kulturës dhe investimeve, etj. Pra janë shumë pyetje pa përgjigje, shoqëria shqiptare duhet seriozisht të ndërtojë indin e vet shoqëror që ai të jetë veprues kur nuk funksionon sistemi mbrojtës. Nuk kemi nevojë për organizime politike partiake me fjalë të mëdha e punë askund, sot kemi parti të cilët me plot gojë pretendojnë se duan shqipen zyrtare, ndërsa nuk kanë nëndegë dhe degë të organizuara në Veles, Prilep, Kurshevë, Prespë, Manastir. Këto vendbanime luftojnë për mbijetesë, nuk di se si kërkojnë mbështetje elektorale, kur nuk zhvillojnë aktivitete për mbrojtjen e votës në ditën e zgjedhjeve, ju mungojnë aktivist ndërsa përmendin terma: Ridefinime, federalizma, dy nacional e s’di çfarë ndërsa, nuk kanë njohuri se ku gjenden Llazheci, Desova, Cërnilishti, Buzallakova e shumë vendbanime shqiptare që kanë kthyer sytë nga ne. Shpresoj së shpejti për një vetëdijesim dhe fillim të një përgjegjësie individuale te liderët më të mëdhenj dhe sendërtim të llogaridhënies si kolektiv të partive politike.

 

KOHA: Askund në hapësirat shqiptare nuk ka “qetësi”. Çfarë, sipas Jush, pritet të ndodhë që sado pak të ndjejmë një relaksim?

MATOSHI: Po mund të rehatohemi kur të shohim të vërtetën në sy dhe t’i identifikojmë fajtorët. Sot tradhtari me plot kuptimin e fjalës është politikani i korruptuar dhe i kriminalizuar, ndërsa patrioti i vërtetë, është ai që realizon dhe nuk vjedh. Ky është standardi të cilin e duam ne dhe të cilin perëndimi kërkon ta instalojë në vendet ballkanike. Qetësia do të vijë tek ne dhe në gjithë Ballkanin kur të ketë drejtësi dhe ligje që respektohen si parakusht për t’u bërë pjesë e Klubit Euroatlantik.

 

KOHA: Familja, shokët, profesioni, a i japin kuptim jetës tuaj?

MATOSHI: Familja patjetër që është më kuptimplota. Kam tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza, bashkëshorten, e cila është magjistër e financave, punon ne universitet si kontabiliste, mbi të gjitha bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar. Kam dhe dy prindërit, të cilët edhe pse të shtyrë në moshë qëndrojnë mirë me shëndet, pra kam një familje 7 anëtarësh. Shokët po ashtu janë pjesë e realiteti tim dhe me to kaloj mrekullueshëm. Për momentin jam profesor në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, ligjërues dhe ushtrues detyre dekan në Fakultetin e shkencave politike.

© Gazeta KOHA