Organizata për dialog dhe afirmim të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve protestoi para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar lehtësime për maturën shtetërore. Kërkesa kryesore e shkollarëve të mesëm është shkurtimi i materialit mësimor i parashikuar për dhënien e provimit të maturës shtetërore. Ata ankohen se kanë qenë të informuar për shkurtimin e materialit, por deri më sot nuk kanë pasur qasje në të.

“U ballafaquam me mësimin online, kërcënime me bombë, kaluam grevën e mësimdhënësve, të cilët I mbështetëm, u ballafaquam me grevën e NQP-së që vështirësoi ardhjen e nxënësve në shkollë. Të gjithë këto faktorë do të ndikojnë në dhënien e provimit të maturës shtetërore… dhe si gjeneratë nuk kemi pasur një vit të plotë mësimor, pa ndërprerje. Na u tha që matërial të shkurtuar kemi mirëpo akoma nuk kemi qasje për të njejtin”, tha Alisija Ugrinovska, nxënëse.

Protestës iu bashkua edhe lëvizja “Rezistenca studentore” prej ku thanë se janë të revoltuar sepse institucionet përkatëse, siç thonë ata, kanë vesh të shurdhër për kërkesat e vazhdueshme të studentëve që kanë të bëjnë me standardin studentor. Mes tjerash, ata kërkuan rritje të subvencionit për ushqim në 160 denarë.

“Kërkojmë rritjen e subvencioneve për shujtën studentore dhe respektimin e afateve për pagesën e shujtave dhe bursave të cilat vonohen me muaj. Jemi të gënjyer për përmirsimin e kushteve në konviktet studentore, asgjë nga rikonstruimi ndërsa kushtet mbeten katastrofale. Kërkojmë zgjidhje urgjente për këto probleme”, u shpreh Teodora Naumovska, studente.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri përsëriti se do të kërkoj nga drejtori I qendrës shtetërore të provimeve që të diskutojë kërkesën e maturantëve por gjithashtu theksoi se deri më tani materiali ka qenë i reduktuar. Shaqiri shtoi se është e nevojshme të respektohen standardet të cilat janë të nevojshme për të plotësuar kushtet e universiteteve ku ata duan të vazhdojnë arsimin e lartë. Provimet eksterne të maturës shtetërore këtë vit do të mbahen në datat 27 maj dhe 10 qershor./Alsat.mk