Parkingu në afërsi të Qendrës Tregtare Mavrovasja, që si pjesë e projektit të sheshit “Skënderbeu” ishte paraparë dhe paralajmëruar të jetë nëntokësor, është në gjendje kaotike. Qytetarët të zhgënjyer nga premtimet e komunës së Çairit kërkojnë rregullimin e parkingut të premtuar.

“Shikoni si është, kaos. Nuk mund të kalojmë, prandaj presim. Asnjëherë nuk ka vend për tu parkuar. Nuk e di, unë jam nga Komuna e Çairit por, atje asgjë nuk punohet, është kaos”

“Sigurisht duhet më shumë parkingje se këtu bëhet shumë rrëmujë, duhet një zgjidhje pak më ndryshe. Varet, të premten bëhet më shumë, por vazhdimisht ka nga pak rrëmujë.Komuna ka paraparë gjithmonë më shumë por, si e dimë nuk është bërë parkingu nëntokësor që është paraparë. Dashtë Zoti të bëhet”

Nga Komuna e Çairit nuk tregojnë se kur do të jetë gati parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbeu”, por shtojnë se janë në fazën e përgatitjeve për fillimin e punimeve.

Faza e tretë e sheshit Skënderbeu, inicimi i procedurës lidhur me këtë fazë ka filluar dhe projekti ka kaluar në Qeveri, është miratuar i njëjti. Tani po bëhen përgatitjet për të filluar me punë, respektivisht duke respektuar procedurat ligjore të cilat duhet të mbarohen dhe të fillohet ndërtimi i fazës së tretë ashtu siç duhet duke i respektuar në përpikmëri normativat ligjore. Për momentin nuk do të kisha dashur që të supozoj me afate duke pasur parasysh procedurat e komplikuara që na presin – deklaroi Kushtrim Alla- zëdhënës në Komunën e Çairit.

Sheshi Skënderbeu ishte paraparë që të ndërtohet në tre faza, me një kosto të përgjithshme prej rreth 10 milionë eurove. Parkingu nëntokësorë është faza e tretë e këtij projekti. Ky parking është paraparë të jetë në dy nivele, me hapësirë prej 7000 metër katrorë. Afati i parë për përmbylljen e punimeve ishte viti 2014./Alsat-M/