Ka filluar zbatimi i masave të fundit anti-Covid të miratuara nga Qeveria, por tani për tani mbetet e pasigurt se kur do të miratohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive, të cilat duhet të mundësojnë vendosjen e kufizime shtesë në trajtimin e Covid-19, mes të cilave mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambient të hapur, ndalim i grupimit jashtë pas orës 22:00 dhe kufizime në mbledhjet familjare.

Qeveria i bën thirrje opozitës që t’i miratojë ndryshimet në ligj sa më shpejt të jetë e mundur, duke pasur parasysh situatën me përhapjen e koronavirusit në vend. Ata e akuzojnë atë për jokonstruktivitet dhe mbledhje të pikave ditore politike që rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e popullatës.

Nga ana tjetër partia opozitare OBRM-PDUKM, përgjigjet se në ndryshimet e propozuara ligjore nuk ka masa konkrete për të luftuar pandeminë. Sidoqoftë, ata thonë se megjithëse nuk janë të kënaqur me propozimin, nuk do të bllokojnë miratimin e ligjit në Kuvend.

Deputeti Antonio Miloshoski informoi dje në konferencë për shtyp se në mëngjes u zhvillua një takim midis ministrit të Shëndetësisë dhe profesorit Velo Markovski në të cilin u propozua ideja e OBRM-PDUKM-së për të krijuar komision të posaçëm shtetëror për ta luftuar pandeminë, por kjo nuk u pranua.

“Lidhur me komisionin për ballafaqimin me pandeminë dhe epideminë, ne propozuam që komisioni të ketë 11 anëtarë. Ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Krizave do të ishin në detyrë, ndërsa brenda do të ishin specialistë infektologë 3 anëtarë, epidemiologë 2 anëtarë, mikrobiologë 2 anëtarë, imunolog një anëtar dhe specialist internist një anëtar. Për zhgënjimin tonë, kjo ide dhe propozim nuk u pranuan nga Ministri i Shëndetësisë”, tha Milloshoski.

Debati në Kuvend për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive duhej të fillonte dje, ato nuk u vunë në rendin e ditës të seancës pasi opozita kërkoi kohë për t’i shqyrtuar ato.

Ndërsa negociatat janë duke u zhvilluar kur do të caktohet seanca parlamentare për këtë çështje, masat e reja anti-kovid të miratuara në seancën e fundit të Qeverisë hynë në fuqi mbrëmë.

Ata parashikojnë që objektet hotelierike të punojnë deri në orën 23:00, administrata shtetërore ta organizojë punën nga shtëpia ose me ndërrime, si dhe kapaciteti i transportit publik të kufizohet me 50 për qind.