Numri i personave, të cilët kanë blerë sigurim shëndetësor vitin e kaluar është rritur për pesë herë në krahasim me vitin 2019, ndërsa në polica qytetarët kanë investuar 4,45 milionë euro, që është për 45 për qind më shumë se në vitin 2019, informojnë nga Agjencia për supervizion të sigurimit.

Të dhënat përmbledhëse zyrtare të Agjencisë për supervizion të sigurimit (ASS) për vitin 2020 tregojnë se gjithsej 114.559 qytetarë vitin e kaluar kanë vendosur të blejnë polica për sigurim shëndetësor dhe kjo është për 93.161 të siguruar më shumë se vitin paraprak, kur polica për sigurim shëndetësor kanë pasur 21.398 persona. Në policat e tyre për sigurim shëndetësor, siç njoftojnë nga ASS, vitin e kaluar qytetarët kanë investuar 4,45 milionë euro dhe kjo është për 44,8 për qind më shumë se vitin paraprak.

Policat për sigurim shëndetësor vitin e kaluar i kanë shitur 10 kompani për sigurim jo të jetës. Sipas ASS-së, ndikim në rritjen e shitjes së policave për sigurim shëndetësor, vitin e kaluar ka pasur edhe pandemia e shkaktuar nga Kovid-19, por edhe praktikat e mira korporative të gjithnjë e më tepër kompanive që blejnë polica për sigurim shëndetësor për të punësuarit e tyre.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar kompanitë për sigurim jo të jetës të siguruarve u kanë paguar dëmshpërblime me bruto vlerë të përgjithshme prej 1,72 milionë euro, në bazë të mbulesave nga policat për sigurim shëndetësor. Në krahasim me vitin 2019, bruto vlera e dëmeve të paguara, të cilat kompanitë ua kanë paguar të siguruarve, është rritur për 44 për qind. Agjencia për supervizion të sigurimeve (ASS) është trup i pavarur rregullator, i themeluar në vitin 2009, i cili e rregullon tregun për sigurim dhe kujdeset për mbrojtje të të drejtave të të siguruarve dhe zhvillim të perceptimit për rëndësinë e sigurimit. (Zhurnal.mk)