Autor: Emir Hamzai

Janë publikuar fotografi të qenve endacakë, edhe atë të ngordhur nëpër rrugët e qytetit në Tetovë. Helmimi i qenve endacakë, ka ngjallur debat në opinion, sepse mbytja e tyre mund të sjellë pasoja, gjegjësisht sëmundje dhe epidemi të ndryshme. Qentë endacakë janë bërë rrezik për Tetovën dhe për të gjithë qytetet në Maqedoni, edhe atë me viktima në njerëz. Por, pavarësisht kësaj, a është zgjidhje e duhur mbytja apo helmimi i qenve që enden nëpër rrugët e qytetit. Aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve dhe atyre mjedisor, qytetarë dhe mjekët e dënojnë ashpër këtë akt.

Aktivistët Arianit Xhaferi nga ”Eco Guerilla” dhe Faton Islami, i angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, e dënojnë këtë akt dhe thonë se helmimi i qenve nuk është zgjidhje dhe se ky akt është jonjerëzor.

”Helmimi i qenve endacakë nuk është zgjidhje, as njerëzore. Një sjellje e tillë, nga kushdo që të jetë bërë, është e papranueshme për shekullin në të cilin jetojmë. Qentë endacakë duhet të grumbullohen nga rrugët, të dërgohen nëpër strehimore të posaçme të ndërtuara për kujdesin e tyre. Helmimi i qenve, ngordhja e tyre nëpër rrugë dhe me gjasë era e keqe që vjen nga trupi i tyre, mund të shkaktojë epidemi të tjera, nese nuk ndërhyhet shpejtë për menjamimin e qenve të helmuar dhe të ngordhur nëpër rrugë”, shprehet Xhezairi.

”Për mbytjen e qenve nëpër Tetovë, ne kemi pasur informata që para dy javësh. Kemi tentuar që të mobilizojmë njerëzit, por pas ngjarjes se Gostivarit duket se në përgjithësi qytetarët nuk mund të shohin më larg se hunda tyre. Po të njëjtit njerez që tani “qahen” se pse jane helmuar qentë, para dy javësh thonin “Ti vrasim, e ti mbysim”. Absolutisht, mbytja dhe helmimi i qenve nuk është zgjidhja për këtë problem. Kjo shkel çdo ligj për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, është jo-humane, është e ndaluar edhe me fe, sidomos në një vend ku 98% e qytetareve jane muslimanë, është skandal i madh të bëhet një gjë e tillë. Pavarësisht kësaj, komuna ka ndarë buxhet, shteti ka ndarë buxhet për vend-strehimore të qenve endacakë. Vallë ku është ky buxhet? Buxheti për vend-strehimoret është vjedhur njëjte si shumica e buxheteve për sferat tjera, prandaj qentë i kemi ose nëpër rrugë ose të helmuar. Qentë duhet të kenë vend-strehimoren e tyre. Kjo, disa herë është paraparë që të ndërtohet dhe nuk është ndërtuar. Mbytja nuk është zgjidhje, assesi”, thekson Faton Islami.

Qytetarja Arbenita Meta, thotë se mbytja e qenve është vepër penale, si dhe për pasojë ky akt ka edhe rreziqe tjera, siç janë sëmundjet.

”Helmimi i qenve dhe mbytja e tyre është vepër penale, duhet zgjidhje sistemore për problemin e qenve endacakë. Helmimi qenve në mënyre masovike duhet të ndërpritet, nëse duam të identifikohemi si shoqëri e civilizuar dhe të bashkëjetojmë me kafshët. Nga dekompozimi i kufomave të qenëve, aktivizohen bakteriet dhe parazitët dhe në këtë rast vihet në rrezik sërish shëndeti i njeriut nga ndonjë infektim. Duhet të ketë pak njerëzim tek qytetarët, mendoj se helmimin e bëjnë persona, por edhe në mënyrë të organizuar”, deklarohet qytetarja.

Nga ana tjetër, Infomagazin ka kontaktuar edhe mjek në lidhje me këtë çështje, se çfarë konkretisht mund të jenë pasojat tek shëndeti i njeriut, nëse bëhet mbytja e qenve dhe në të njëjtë kohë qëndrojnë të ngordhur në rrugë.

Mjeku Afrimi Emini, nga Kryqi i Kuq-Tetovë, shprehet se nuk duhet të kalojmë nga një problem në tjetrin, pasi, sipas tij, kjo nuk e zgjidh problemin, pikërisht gjendja përkeqësohet dhe sjell pasoja të rënda.

”Qentë e ngordhur që shohim këto ditë në rrugët e qytetit, sigurisht se përbëjnë rrezik serioz, ku kjo ndihmon në përhapjen e sëmundjeve të shumta infektive. Duke e ditur se të gjithë jane qen endacakë dhe të pa vaksinuar, mund të jenë bartës të salmonelës dhe endja e tyre në rrugë qoftë të ngordhur, mund të infektojnë njerëzit me parazite dhe me bakterie që janë rezistente ndaj barnave”, vlerëson Emini për Infomagazin. /Infomagazin/

Fotografitë në vijim janë shkrepur nga qytetarët, momente të qenve endacakë të ngordhur si pasojë e helmimit.