Zgjedhjet e 11 dhjetorit do të jenë më të mbikëqyrura dhe më rigoroze jo vetëm për shkak të numrit të lartë të vëzhguesve, por edhe për shkak të rregullave të reja të cilat të paktën në formë të shkruar kanë prekur çdo pore të procesit zgjedhor. Kjo u tha në emisionin “Gjurmë”, ku mes tjerash, përfaqësuesit e sektorit civil, të cilët merren me vëzhgimin e zgjedhjeve, janë shprehur optimist se këto rregulla të reja do të mundësojnë që sadopak të kemi zgjedhje të drejtadhe demokratike.

“Ajo që është shumë e rëndësishme është se ndërgjegjësimi i qytetareve dhe qytetarëve është shumë i përforcuar. Ata e dinë se të drejtat janë të tyre dhe mbetet vetëm t’i inkurajojmë që vërtetë t’i përdorim të gjitha të drejtat e tyre sepse atyre u takojnë. Por, duhet ta dinë se askush nuk do u jep asnjë të drejtë. Duhet vetë t’i marrim këto të drejta, vetë t’i mbrojnë”, deklaroi Xhabir Deralla nga “Civil”.

Edhe nga organizata tjetër e cila monitoron zgjedhjet në vend, “MOST” thonë se për dallim nga zgjedhjet e kaluara tashmë të paktën në korniza ligjore, ka shumë mundësi për të mbrojtur jo vetëm procesin zgjedhor, por edhe pjesëmarrësit dhe votuesit në këto zgjedhje.

“Është e saktë se ka dispozita të reja, do e shohim se sa do punojnë institucionet ose sa do mundet t’i zbatojnë ato dispozita në praktikë. Si shembull pozitiv është se për herë të parë është bërë kontroll i listës zgjedhore. Ashtu apo kështu, u bë. E kjo do të jetë shembull për në të ardhmen. Por do e shohim edhe për dispozitat tjera të parapara, a do ketë reagim të duhur nga institucionet”, deklaroi Zllatko Dimitrioski, Iniciativa qytetare “MOST”.

Ndryshe, me ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë parashikuar dënime të rënda me burg për veprat penale kundër zgjedhjeve dhe të drejtës zgjedhore. Dënimet për tentativën për ta blerë ose për ta shitur votën arrijnë të paktën 5 vite burg, ndërsa dënime të ngjashme janë parashikuar edhe për tentativat për manipulimin e rezultateve, mbushjen e kutive dhe dëmtim të materialit zgjedhor.

Këto zgjedhje do të kenë monitorim më të madh, duke filluar nga OSBE e cila do të dërgoj 14 ekspertë, 20 vëzhgues afatgjatë dhe 320 vëzhgues afat shkurtër ditën e votimit, por edhe gjithë procesin zgjedhor, duke përfshirë fushatën, mediat, partitë, administratën dhe institucionet shtetërore.