Grupi i shoqërisë civile “Protestoj” kanë paralajmëruar për më 5 shtator protestë kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe Qeverisë.

Në një reagim të tyre ndaj Presidentit Thaçi, i cili sot përsëri i ftoi shoqërinë civile që të bëhen pjesë e dialogut, “Protestoj” ia kanë bërë me dije kreut të shtetit se janë në vijë të kundër me të.

“Ne nuk jemi në një vijë me ty, ne jemi në vijë të kundërt përballë teje. Ne e trajtojmë seriozisht vendin tonë, ti bën shaka me temat serioze. Ne angazhohemi e rrezikojmë duke sakrifikuar, ti bezdisesh në salltanet dhe zhgarravit gjithë ditën në Facebook. Ne duam që vendi ynë të jetë i sigurt, ti e vë si monedhë kusuri për ta shpëtuar veten”, thuhet në reagimin e tyre.

“Protestat do të vazhdojnë më 5 shtator, në vijë të kundërt me Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin. Bashkohuni!”, bëhet thirrje në fund të reagimit të “Protestoj”.

Ndryshe, ky grup i shoqërisë civile së fundi kanë organizuar në Prishtinë dy protesta kundër Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe kanë bërë thirrje për Vetting në Kosovë.