Kanë paguar rreth 500 euro për trajnim dhe për dhënie të provimit për t’u bërë drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme, por kanë muaj që presin që të thirren nga Qendra Shtetërore e Provimeve. Për këtë, kandidatët protestuan para Qendrës, duke treguar edhe se janë paraqitur në pajtim me Ligjin për trajnime.
Jemi të habitur nga vullneti dhe mosrespektimi i dispozitave ligjore edhe pse në bazë të nenit 5 të Ligjit i përmbushim kushtet për zbatimin e trajnimeve bazë, dhe në përputhje me nenin 8, paragrafi 1, citoj: Realizimi i trajnimeve sipas programit për kandidat të paraqitur fillon pas formimit të grupit me 10 kandidat të cilët janë paraqitur për trajnim në përputhje me nenin 7 të këtij ligji”, tha Ksenija Vramçeva, kandidate për drejtoreshë.
Drejtoresha e Qendrës për provime ka deklaruar se trajnimet e fundit janë mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në mars planifikohen të fillojnë trajnimet tjera, por Aleksandar Georgieski thotë se trajnime duhet të mbahen më shpesh sepse ka shumë kandidat që presin.