Me rastin e 107 vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare nga Shkupi, Shën Tereza, do të mbahen disa aktivitete kulturore në qytetin e saj të lindjes, Shkup dhe në Prishtinë.

Siç njofton ITSHKSH-ja, nesër paradite do të vihen kurora lulesh te pllaka përkujtimore – në vendin ku ka qenë shtëpia e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, në Sheshin e Shkupit.

Po nesër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë dhe Kryeipeshkvinë e Kishës Katolike të Kosovës, do të hapin ekspozitën e titulluar “Shenjtorja nga Shkupi – korrespondenca”.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen,kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.

Ne vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bëmirësisë që i shërbejnë tërësisht të varfërve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Vetëm sipas te dhënave te vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmure në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq te braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë.