Me tekste spekulative, informata të dyshimta, zakonisht të ardhura nga “burime anonime”, lajme që i plason një medium e pastaj i transmetojnë shumica e tjerëve, mediat serbe janë kyçur në krizën politike në Maqedoni, me një fushatë kundër shumicës parlamentare të përbërë nga LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe partitë shqiptare.

Një lajm i tillë spekulativ ishte edhe ai i djeshmi i gazetës “Blic”, të cilin pastaj e transmetuan edhe mediume të tjera të shumta, ndër të cilët edhe televizioni shtetëror.

Për këtë informatë, “Blic” madje ka thënë se ka qenë “tepër konfidenciale” dhe se presidenti i ri serb Aleksandar Vuçiq paska urdhëruar që të mos publikohet, pasi që “mund ta nxehë edhe më shumë situatën” në vendin fqinj.

Blic shkruan se Agjencia e Sigurisë Ushtarake në Serbi ka konfiskuar një sasi të madhe të armëve në jug të këtij vendi, të cilat do të transportoheshin në mënyrë të paligjshme për në Maqedoni dhe supozohet se ishin të destinuara për partinë më të madhe shqiptare në Maqedoni. 
Burime të VBA, kanë thënë se janë konfiskuar pushkë, mitraloza, granata dore javën e kaluar. Pranë Preshëvës dhe Bujanocit kanë gjetur dy shtetas të Serbisë të kombësisë shqiptare duke u përpjekur të dërgojnë këto armë për në Maqedoni.

Burimi i gazetës thotë se “Padyshim se kanë dashur këto armë ti përdorin nëse ndodh ndonjë luftë në Maqedoni, apo thjesht për të shkaktuara incidente dhe të ngjallin dyshime”.
Burimi i gazetës tha se “Është vënë re dukshëm se lëvizjet e pjestarëve të ish-UÇK-së janë rritur në destinacionin Preshevë-Bujanoc-Maqedoni”.
Veprimi i policisë është kryer në fshehtësi të plotë, dhe janë informuar vetëm kryesorët e VBA’së, ndërsa për aktivitetet e përgjithshme janë të informuar edhe shërbimet përgjegjëse të Maqedonisë.

Gazetametro.net, e cila e përcolli informatën shkruan se “krejt kjo mund të jetë inskenim i shtetit serb, në bashkëpunim me mediat atje, për të destabilizuar situatën në rajon, dhe në fund kjo t’u ‘faturohet’ shqiptarëve. Mediat e nxitura nga pushteti i Vucic’it, vazhdimisht kanë provuar të nxisin konflikte, duke u munduar të inskenojnë vatra tensioni, si me veriun e Kosovës, përmes trenit të famshëm rus, me murin në veri, e tani edhe me situatën në Maqedoni”