Mosgrumbullimi i Taulant Xhakës me Kombëtaren nuk ka kaluar pa u komentuar në mediat zvicerane, të cilat i kushtojnë vazhdimisht vëmendje mesfushorit të përfaqësueses shqiptare, e sidomos ngjarjeve jashtë fushës së lojës që kanë lidhje me të. Sigurisht, nuk mund të kalonte pa u komentuar lënia jashtë e mesfushorit nga lista e parë e trajnerit Kristian Panuçi.

“Përsëri jashtë Kombëtares shqiptare. Lihet mënjanë edhe nga trajenri i ri”, shkruante e përditshmja zvcierane “Blick” rreth mesfushorit të Bazelit.

“Si thonë trajnerët e rinj? ‘Çdo lojtar do të ketë shansin e tij’ apo ‘do të përziejmë kartat’. Si shprehja e parë, ashtu edhe e dyta, nuk i përkasin trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi. Të paktën sa i përket Taulant Xhakës. Pasi mesfushori i Bazelit nuk është përfshirë përsëri për ndeshjet e radhës të kualifikueseve të Botërorit!”, shkruhet në artikullin i cili tregon se burimi i problemit është përplasja e famshme me Xhani De Biazin pas ndeshjes me Italinë.

“Tre muaj më vonë, italiani largohet dhe bashkëkombësi i tij, Kristian Panuçi, merr drejtimin. 44-vjeçari fillon menjëherë punën dhe viziton Xhakën në Bazel në fillimin e muajit gusht. Megjithatë, ai nuk ka shumë për të parë, pasi Xhaka i luajti 90 minutat ndaj Lucernës në stol.

Sipas mediave shqiptare, pas ndeshjes, futbollisti e ka lënë të priste disa orë trajnerin e ri të Kombëtares së tij. Ai thotë se këto janë pallavra dhe shton se kishte ‘kontakt pozitiv’ me Panuçin. Por kjo nuk mjaftoi për një vend në listën me 24 lojtarë të Shqipërisë”, shkruhet në artikullin e të përditshmes zvicerane.