Sa herë që BDI ndjen erën e humbjes në zgjedhje, ajo nuk priton të gjejë një arsye “të fortë” për të shpëtuar nga humbja që e pret.
Tani më kur vetëm disa muaj na ndajnë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare , BDI thuajse e ka gati mashtrimin e rradhës që është duke e gatuar për Shqiptarët.
Ngjajshëm si dje, që mashtroi me bustet e Skenderbeut e Josif Bagerit në Shkup, agjendën e gjelbërt dhe presidentin konsensual, ashtu edhe sot ka angazhuar fuqishëm megafonët e saj propagandistik të kamufluar në petkun e analistëve politik, që t’ua shpërlajë trurin shqiptarëve , duke ua treguar rrugën EUROPJANE, që ata nuk e paskan ditur!
Të gjendur para një fakti të pakontestueshëm dhe të vetëdijshëm se nuk gjenë shqiptarë këtu në Maqedoninë e Veriut që është kundër kësaj rruge, ata nëpërmjet një propagande agresive dhe të dhunshme, mundohen të amputojnë teza se çdo kush që kundërshton dhe kushtëzon dhënien e votës për ndryshimet kushtetuese, qenka kundër rrugës europjane të vendit, bile edhe në rastet e kushtëzimit të votës me ndryshimin e termit fyes për zëvendesimin e 20%-it, të gjuhës shqipe.
Arsyetimet se zëvendesimin i 20%, do të trazonte shpirtrat e disave dhe do t’i aktivizonte “patriotët kujdestar” maqedonas, jo që nuk pijnë ujë, por as që duhet dikush të brengoset për “shpirtrazuarit”e tillë, sepse mjaft lëshime kanë bërë Shqiptarët, tërë këto vite që nga pavarësia e Maqedonisë.
Prandaj, kushtëzimi i atyre pak deputetëve shqiptar që nuk janë të gatshëm të votojnë ndryshimet kushtetuese, pa zëvendesimin e 20% duhet të jetë mësim edhe për deputetët e tjerë shqiptarë të shumicës parlamentare, në të kundërtën të gjithë, pa përjashtim hyjnë në grupin e mashtruesve, që patriotizmin e tyre e kanë vetëm sezonal, para zgjedhjeve.
Në të vërtet, agresiviteti i theksuar propagandistik i BDI-së, bashkë me shqetësimin e shprehur për rrugëtimin europjan është edhe një tregues shtesë se BDI, as që shqetësohet për të ardhmen europjane të vendit, por shqetësimi kryesor i tyre mbetet frika e humbjes së pushtetit, e bashkë me të edhe të tenderëve të majmë që partia përfiton me SORAVIA & EUROVIA-t!
Një element tjetër i kësaj loje të ndyrë propagandistike që BDI është duke zhvilluar me promovimin agresiv të agjendës europjane, është edhe përgatitja e opinionit për formimin e një koalicioni mbietnik të promovuar nga Ali Ahmeti si”Front Europjan”.
Ky koalicion mbietnik s’është gjë tjetër veç se një mashtrim i rradhës, i menduar si mundësi e vetme shpëtimi, i tandemit LSDM-BDI, sidomos pas numrave të disfavorshëm që tregojnë matjet e shumta të opinionit publik, ku epërsia e VMRO- së në raport me LSDM-në është gati e dyfishuar.
Andaj me gjithë akrobacionet politike të krijimit të tollovive në kampusin politik opozitar shqiptar, bashkë edhe me sponsorizimin në krijimin e partive të reja me elemente “të kapura”, si puna e Arjanit Hoxhës dhe Skender Rexhepit , nuk mungojnë edhe tentativat për t’i paraqitur tri partitë opozitare shqiptare të lidhura nën siglën e “Frontit Opozitar Shqiptar”, si dorë e zgjatur e Mickovskit, nderkohë që mendojnë se Shqiptarët kanë harruar se ishin pikërisht këta që i kanë shërbyer VMRO -se, për më shumë se dhjetë vjet, bile jo kësaj të sotshmes, po asaj më të keqes, të tandemit Gruvski&Mijalkov./fol.mk