(Drejtuar forcave politike dhe intelektuale progresive për tejkalimin e situatës kaotike të krijuar në Maqedoni me bllokimin e punës së institucioneve të pushtetit)

Abdulla Mehmeti

Kaluan tri ditë nga afati i parashtruar për ndërprerjen e protestave antishqiptare në Maqedoni, përmes Apelit të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, drejtuar institucioneve të pushtetit, institucioneve ndërkombëtare, dhe sidomos subjekteve politike të shqiptarëve, duke marrë parasysh Deklaratën e partive shqiptare parlamentare në Maqedoni, të nënshkruar në Shkup, më 7 janar 2017, me të cilën përfaqësuesit e këtyre subjekte u zotuan se: ,,Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së partive shqiptare parlamentare”.

Përveç protestave të pandalura antishqiptare, të organizuara nga grupet e qytetarëve të nxitur dhe frymëzuar nga qarqet nacional-shoviniste proserbe dhe proruse, në të cilat sulmohet ashpër populli shqiptar, gjuha shqipe dhe sidomos Deklarata e përbashkët e partive shqiptare parlamentare, si nga organizatorët e protestave, po ashtu edhe nga subjektet politike shqiptare nënshkruese të së njëjtës, duke mos i përmbushur obligimet e tyre kryesore për zbatimin e saj, me organizimin dhe funksionimin e Tryezës së përbashkët të këtyre subjekteve, në të cilën do të silleshin vendime dhe konkluzione të dobishme për tejkalimin e krizës politike në vend, tani e shndërruar edhe në krizë institucionale, e cila mund të sjellë pasoja të parashikueshme për të ardhmen e vendit dhe sidomos për popullin shqiptar në këtë shtet.

Duke konsideruar se, kërkimi i fajtorëve për këtë gjendje nuk është dobiprurës, si të tillë e konsiderojmë mjet joefikas për tejkalimin e kësaj situate, prandaj, e njoftojmë opinionin vendës, sidomos qytetarët me vullnet të mirë se, ditëve në vijim do të ndërmerren hapa konkret në lidhje me gjetjen e zgjidhjeve të mundshme për tejkalimin e situatës së krijuar, në bashkëpunim me të gjitha subjektet e interesuara shqiptare, politike dhe jopolitike, me forcat progresive, veprimtarë dhe intelektualë që ia duan të mirën vendit, sidomos bashkëqytetarëve të vetë shqiptarë, të cilët më tepër se asnjëherë ndjehen të mashtruar, të lënë në mëshirën e fatit dhe nën kërcënimin e forcave destruktive e luftënxitëse, të cilat vazhdojnë ta provokojnë durimin e shqiptarëve, edhe përkundër problemeve të tjera ekzistenciale, ekonomike e politike, që e rëndojnë jetën e këtyre qytetarëve për vite me radhë.

Për të gjitha këto aktivitete do t’u njoftojmë gjatë ditëve të vijim.

Subjektet dhe personat e interesuar për pjesëmarrje në këto aktivitete (fillimisht debate), mund t’i dërgojnë numrat e tyre të telefonit dhe adresat elektronike për kontakt, në inboksin e profilit tim, ose përmes adresës: [email protected]

NUK KA ÇËSHTJE PA ZGJIDHJE, PËR ATA QË DINË DHE GUXOJNË!