Pse nuk duhet të jemi euforikë me sjelljen e Ligjit për barazinë e gjuhëve Maqedoni?

Abdulla Mehmeti

Shumica e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, por edhe shumë qytetarë me përkatësi etnike të tjera, sidomos shqiptarët në botën e jashtme, janë gëzuar me sjelljen e këtij ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, i cili e avancon statusin e gjuhës shqipe dhe e zgjeron dukshëm gamën e përdorimit të saj në organet e pushtetit, në administratë dhe në sfera të tjera.

Qeveria aktuale e Maqedonisë ka ndërmarrë hapa të guximshëm për reforma, për çka dëshmon edhe ky ligj, pakrahasueshëm më i mirë se ligji i mëparshëm, megjithatë kornizat kushtetuese nuk lejojnë realizimin e asaj që është e nevojshme, sigurimin e statusit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni. Edhe kështu siç është, ky ligj ndeshet që në fillim me kundërshitime nga një pjesë e qytetarëve joshqiptarë, sidomos nga disa qarqe akademike të motivuara dhe përkrahura kryesisht nga politika ditore.

Por, habit edhe fakti se në çfarë mase janë entuziasmuar disa politikanë e zyrtarë të lartë të pushtetit në vend dhe jashtë, të cilët e shpallën aktin e sjelljes së këtij ligji si një fitore të madhe historike të politikës shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm, duke harrruar se bëhet fjalë vetëm për një segment, sado i rëndësishëm që është, në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, të mohuara e nëpërkëmbura disa dekada me radhë, sidomos pas pavarësimit të Maqedonisë, më 1991.

Në asnjë rast nuk duhet të harrohet, sidomos faktori politik shqiptar në vend dhe jashtë, se të drejtat qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve ende shkilen e mohohen edhe në shumë sfera të tjera. Ende nuk është zgjidhur drejtë çështja e përdorimit të flamurit shqiptar, e himnit dhe stemës së shtetit, çështja e barazisë në arsim dhe kulturë, çështja e investimeve dhe zhvillimit të barabartë ekonomik, çështja e decentralizimit të pushtetit dhe shumë çështje të tjera.

Arsyeja kryesore e gjithë kësaj ngecje dhe regresi është koncepti unitar i shtetit dhe kushtetuta, të cilat prodhojnë pabarazi dhe padrejtësi, diskriminim dhe krizë politike. Në kornizat kushtetuese aktuale nuk kanë gjetur dhe nuk mund të gjejnë zgjidhje shumë çështje të rëndësishme për barazinë e të gjithë qytetarëve në këtë shtet, sidomos për barazinë e plotë mes popujve shumicë, të maqedonasve dhe shqiptarëve.

Nga këto korniza të ngushta kushtetuese dalin edhe defekte të tjera me të cilat përballet pushteti në këtë shtet dhe faktori ndërkombëtar, meqë nuk është krijuar ende klimë politike dhe frymë demokratike për t’i trajtuar dhe zgjidhur këto çështje të pazgjidhura derë më sot, të cilat do të jenë barrë e qeverisë aktuale, sigurisht edhe për një kohë më të gjatë. Për aq më tepër kur faktori politik shqiptar vendës nuk ka qenë në nivel të detyrës, së paku deri më sot, për zgjidhjen e këtyre çështjeve për të cilat do të duhet kohë dhe energjie, e cila ka mundur të shrytëzohet në sferat të tjera për zbatimin e reformave, sidomos në sferën e ekonomisë dhe atë sociale, në shëndetësi, arsim, kulturë, shkencë etj.

Në fund të fundit, të gjithë faktorë që duhet të merren me këto çështje, së pari duhet ta dinë se çështjet me interes nacional, sidomos të shqiptarëve, nuk janë tema të reja në këtë shtet, por të trashëguara nga e kaluara e largët dhe afërt, dhe se, barazia dhe të drejtat e ligjshme që sot i kërkojnë shqiptarët me plot të drejtë, nuk janë shpikje e ndonjë agjende të re politike në vend, aq më pak të nxitura nga jashtë, siç pretendojnë ta paraqesin këtë disa qarqe politike joshqiptare në vend, por janë të drejta të trashëguara që i kanë gëzuar shqiptarët gjatë regjimit të mëparshëm, sidomos me kushtetutën e vitit 1974, të cilat në mënyrë flagrante u janë suprimuar nga pushteti pas pavarësimit të Maqedonisë, për çka një pjesë të madhe të fajit e mban edhe vetë faktori politik shqiptar, meqë është dashur këto çështje t’i parashtrojnë me kohë për zgjidhje, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, të gjitha çështjet e pazgjidhura që e rëndojnë procesin e demokratizimit në këtë shtet, të cilat e ngadalësojnë zhvillimin dhe progresin e vendit, si edhe procesin e integrimeve në strukturat euroatlantike.

(12 janar 2018)