Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi sot në selinë qendrore të partisë priti në takim Ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në vend, Samuel Zhbogar.

Në takim u bisedua për tema lidhur me situatën aktuale politike në vend, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe për kushtet që vendi duhet ti plotësojë në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.

Kryetari Thaçi fillimisht i uroi ambasadorit Zhbogar mirëseardhje dhe i dëshiroi punë të mbarë në ushtrimin e detyrës së tij.

Kryetari Thaçi potencoi se një ndër prioritetet e PDSH-së është organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si dhe eliminimin e parregullsive të deritanishme siç janë vjedhja e votave dhe falsifikimi i rezultateve, andaj në këtë drejtim kërkoi përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë që të garantohen zgjedhje të lira dhe të besueshme.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se zgjedhjet të parakohshme parlamentare duhet të jenë korrekte, të besueshme dhe demokratike, për ta rikthyer vendin në agjendën e integrimeve euro-atlantike.

Ambasadori Zhbogar në emër të BE-së falënderoi dhe vlerësoi lartë kontributin e z.Thaçi dhe të PDSH-së lidhur me marrëveshjen dhe zhvillimin e proceseve demokratike, si dhe theksoi se Bashkimi Evropian me vëmendje të veçantë do të vazhdojë të ndjek situatën politike në vend, si dhe rrjedhën e përgatitjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Kryetari Thaçi e siguroi Ambasadorin Zhbogar se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro-atlantike të vendit