Iniciativa “Merr frymë”, përmes një proteste simbolike, ka kërkuar nga Ministrisa e Mjedisit dhe organet komunale në Prishtinë që brenda një jave të deklarohen për ndotjen e ajrit dhe për masat që do të ndërrmarin këto institucione. Për më tepër kjo iniciativë ka propozuar disa masa që sipas tyre do të duhej t’i ndërmerrnin institucionet përgjegjëse, shkruan sot gazeta “Zeri”.
Vullnet Krasniqi, njëri nga orgaziatorët e kësaj proteste simbolike, ka thënë se qëllimi i protestës është që t’i japë një javë kohë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të ndërmarrë masa në lidhje më ndotjen a ajrit në vend.
“Sot iniciativa ‘Merr frymë’, që është krijuar nga një grup i njerëzve që nuk po pajtohen më këtë gjendje, kanë vendosur të organizojnë këtë protestë si reagim për gjendjen e ajrit me theks të veçantë në Prishtinë. Arsyeja që kemi dalë këtu është që t‘i japim kohë një javë Ministrisë së Mjedisit që të dalë dhe të tregojë se çfarë masash do të marrë. Ne i kemi përpiluar edhe disa kërkesa”, është shprehur Krasniqi, duke thënë se urgjentisht duhet të merren masa.
Kurse, Trim Ilazi nga iniciativa “Merr frymë”, ka thënë se Ministria e Mjedisit ka thënë se, do të merren disa masa, megjithatë ende nuk është bërë asgjë. Kështu, Ilazi ka thënë se kjo protestë është organizuar me qëllim që t’ua kujtojnë institucioneve se duhet të veprojnë.
“Ministria ka përmendur se do të merren disa masa, mirëpo deri tani cilësia e ajrit nuk është më e mirë dhe se ato masa nuk i kemi parë ende, kështu që në mungesë të kësaj ne jemi duke ia kujtuar Ministrisë dhe institucioneve tjera që duhet të veprojnë më shpejt. Përmes këtij aksioni simbolik ua rikujtojmë institucioneve që duhet të veprojnë”, ka deklaruar Ilazi.
Iniciativa “Merr frymë”, ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe organet komunale, që brenda një jave të deklarohen rreth ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe për masat që ato do të ndërmarrin.
Gjithashtu ka dhënë disa propozime ku përfshihen:
Gjetja e modaliteteve për zvogëlimin e hyrjes së makinave në qytet;
Kontrollimi rigoroz i emisioneve të makinave nga kontrollet teknike;
Kontrollimi i ndotjes nga amvisëritë dhe banesat kolektive që përdorin qymyr për ngrohje;
Kthimi i Ligjit për Ndalesën e Importit të Makinave të Vjetra;
Krijimi i kushteve për mbylljen e termocentralit “Kosova A”.