Të nderuar besimtarë të besimit Islam,

Kremtimi i festës së Kurban Bajramit është rikujtimi më madhështor që njeh historia e njerëzimit për aktin e sakrificës në emër të Zotit, si një sprovë e lartë për qëndrueshmërinë tonë ndaj respektimit të urdhërave të Plotëfuqishmit.

Kurban Bajrami tejkalon çdo kufi dhe shtrihet mbi dimenzionet e jetës humane. Akti i sakrificës që simbolizon këtë festë, është karakteristikë e bukur dhe e madhe njerëzore që në thellësi reflekton bujari dhe mirësi. Kjo ditë përkujton momentin kur individi mban nën kontroll të gjitha dëshirat, dhe ushtron një vet-kontroll të shëndoshë me testimet e jetës disciplinore.

Në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit dhe të një çasti kremtimi për të gjithë besimtarët muslimanë kur shtohet dhe forcohet më shumë ndjenja e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë dhe mëshirës, uroj që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë për një të ardhme sa më të mirë për kombin tonë.

Në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, të gjithë shqiptarëve të besimit Islam ua uroj festën e Kurban Bajramit me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi dhe mirëqenie.

Vesel Memedi,
Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare