Kancelarja gjermane Angel Merkel po i viziton vendet e rajonit por jo edhe Maqedoninë. Kjo po vlerësohet si mesazh se drejtuesit aktual shtetëror të vendit, ata të VRMO-së dhe të BDI-së, nuk kanë kredibilitet në nivele të larta politike evropiane, duke i dhënë një grusht të fortë demagogjisë së qeveritarëve maqedonas për rrugën e evro-integrimeve.

Analisti politik Arsim Zekolli, thekson se gjithsesi se ky është mesazh nga Qeveria gjermane, por kësaj radhe ky mesazh u drejtohet qytetarëve të Maqedonisë dhe ithtarëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. “Shlyerja e Shkupit nga agjenda rajonale është porosi për qytetarët se nëse ju parapëlqeni që për udhëheqës të keni kriminel dhe mafioz si z. Gruevski dhe z. Ahmeti, kjo është e drejta juaj sovrane. Por, kjo e drejtë njëkohësisht nuk obligon Berlinin që t’ju konsiderojë si kandidat serioz për bashkëpunim dypalësh me Gjermaninë apo shumëpalësh me BE-në. Ky injorim do vazhdon përderisa qytetarët preferojnë të udhëhiqen nga VMRO-DPMNE dhe BDI”, ka deklaruar Zekolli, për portalin SHENJA.

Si ilustrim për këtë qëndrim Zekolli përmend dy momente: I pari, rezultatet e anketës së sotme nga IRI që hedh VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në parti me përkrahje më të fortë mes qytetarëve, përkundër gjitha skandaleve korruptive, kriminalitetit, implikimeve në afera të ndryshme përfshirë edhe inskenimet në Kumanovë.

“Kjo përkrahje për këto dy parti është sinjal i qartë për Berlinin se qytetarët e Maqedonisë, për dallim nga ata në Shqipëri dhe Serbi, preferojnë sundim diktatorial, kriminogjen dhe shoven në vend të reformave të vërteta që do shpijnë drejt përmirësimit të gjendjes dhe anëtarësimit në BE”, vlerëson Zekolli.

Thënë troç, Merkel vetëm se na plotësoi dëshirën që të mbetemi në mëshire dhe halle me liderët që i preferojmë dhe esencialisht të shkatërrojmë ardhmërinë tonë, vlerëson Zekolli. “Këtë do e kuptojmë pas jo më shumë se një viti, kur të lexojmë lajmet se si investimet dikur te destinuara për Maqedoni, përfundojnë në Serbi, Shqipëri, Bosnje por kurrsesi se jo te ne”, ka thënë ai.

Gjermania kundërshton “putinizimin” e Maqedonisë

Gazetari Bekim Buçi thekson se mosardhja e kancelares gjermane Angela Merkel në Shkup është një sinjal i fuqishëm për regjimin autoritar të Gruevskit, i cili gjatë viteve të fundit është i izoluar nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai rikujton se gjatë pesë viteve të fundit Shkupin nuk e ka vizituar ndonjë lider apo diplomat i fuqishëm i BE-së dhe SHBA-ve, dhe kjo dëshmon se Maqedonia vetvetiu anashkalohet nga proceset integruese për shkak se kryeministri Gruevski deklarativisht thirret për në Evropë ndërsa kokën e ka kthyer kah Rusia. Buçi theskon se investimet ruse në Maqedoni kanë ndezur alarmin se qeveria e Gruevskit po rrëshqet nga kursi i mëprashëm proevropian dhe po radhitet në një putinizëm të ri.

Sipas Buçit, ishte pikërisht ambasadorja gjermane në Shkup e para e cila kërkoi dorëheqjen e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij menjëherë pas publikimit të bombave të Zaevit.

“Me këtë Gjermania tregon përkushtimin se nuk do të tolerojë që në Ballkan të kemi një shtet të korruptuar të stilit latino-amerikan ku prokuroria, gjykata, policia, mediat dhe institucionet tjera janë në shërbim kryekëput të qeverisë dhe njerëzve të saj. Mendoj se Maqedonia do të jetë shtet inekzistent për ‘Zonjën e Hekurt’ përderisa kryeministër i Maqedonisë është Nikolla Gruevski, sepse qeveria në të cilën participon partia e Gruevskit dhe BDI-ja e Ali Ahmetit nuk ka kredibilitet për të udhëhequr shtetin”, ka thënë Buçi, për portalin SHENJA.

Është vlerësuar se për zgjidhjen e krizës nevojitet angazhim i drejtuesve të lartë të shteteve të fuqishme evropiane si dhe SHBA-ve. Në këtë aspekt përmendet sidomos mungesa e “dorës së fortë” të Merkelit.

Gazetari Bekim Buçi thekson se Merkel nëpërmjet diplomatëve të saj të akredituar në mënyrë aktive po e ndjek dhe e ndihmon zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ambasadorja gjermane së bashku me kolegët e saj të BE-së realizojnë takime të pandërprera me katër liderët politik.

“Lokomitivën kryesore për ta nënshkruar Marrëveshjen e 2 qershorit e udhëhoqi m’u politika gjermane, pasi Evrokomesari Johanes Han vjen nga Austria një shtet i cili është me mentalitet të njëjtë si Gjermania. Andaj nga kjo situatë del se Merkel pas krizës në Greqi prioritet ka shtetet më të mëdha si Serbia dhe Shqipëria të cilat aderojnë drejt BE-së, njëkohësisht duke parandaluar ndikimin rus në Ballkan”, ka thënë Buçi.

Mungesa e vizitës së Merkelit, sinjal i keq për investimet gjermane

Momenti i dytë ka të bëjë me mundësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe sjelljen e investimeve gjermane në Maqedoni. Se sa serioze mund të jenë ato bisedime, mjafton të krahasoni se kush janë Ministrat e Ekonomisë në Shqipëri dhe Serbi dhe biografitë e tyre, dhe kush është Ministër i Ekonomisë në Maqedoni, biografinë e tij dhe strukturën mentale që e ka.

“Gatishmëria gjermane për investime në Maqedoni asnjëherë nuk ka qenë pikë dyshimi për këto 25 vjet të Maqedonisë së pavarur. Vizita e një zonjë-shtetase siç është Angela Merkel në cilindo vend të botes konsiderohet si sinjal për investitorët dhe afaristët se ia vlen të investosh dhe bashkëpunosh me atë vend. Dhe anasjelltas, kur për ministër të Ekonomisë emëroni një njeri pa kurrfarë njohurish nga lëmia, me karakter tejet të dyshimtë dhe sjellje që garanton të kundërtën e bashkëpunimit serioz, ju botës i dërgoni sinjal se nuk jeni as serioz dhe aq me pak i përkushtuar për zhvillim ekonomik”, thekson Zekolli.

 

Merkel lë shije të keqe për vizitën e pritur të diplomates amerikane Viktora Nuland

Analisti Zekolli thekson se nuk është problematike vetëm mungesa e Merkelit në Shkup, por aq më shumë shlyerja e Shkupit dhe Prishtinës nga perspektiva evropiane të cilën Merkel personalisht e shpalli para një jave në deklaratën se “Shqipëria, Serbia dhe Bosnja kanë gjasa të mira për anëtarësim në BE”. “Kjo qasje e zonjës Merkel është në përputhshmëri dhe vazhdimësi e porosisë së Kryesuesit të BE-së, z. Junker, se në pesë vitet e ardhshme nuk do ketë bisedime substanciale për anëtarësim në BE. Në fakt, kjo porosi është një mesazh drejt vendeve të rajonit se Berlini dëshiron që në këto pesë vjet të inicion reforma efikase si parapërgatitje për një vale pranimesh të vendeve nga rajoni ne BE”.

Më tej, Zekolli thekson se mbase tani është e qartë se kjo valë nuk parasheh Maqedoninë dhe kjo është një paralajmërim vërtet katastrofal për qytetarët e vendit, të cilët janë vet fajtorë për shkatërrimin e ardhmërisë së vet.

“Do thosha se këto porosi nga Berlini njëkohësisht devalvojnë edhe peshën e vizitës së diplomates amerikane Viktoria Nulan javën që vjen. Shlyerja e mundësisë për përfshirje efikase dhe emergjente në proceset integruese për Maqedoninë posaçërisht do të godasë gjendjen ekonomike, pasi që ShBA nuk kanë as interes dhe as mundësi për përmirësim të gjendjes katastrofale sociale në vend, por këtë bashkëpunim e reduktojnë vetëm në fushën e sigurisë përmes furnizimit të forcave policore”. Zekolli thotë se rrjedhimisht, mbetja e Maqedonisë në sferën e ndikimit të ShBA-së është një “fitore e Pirros”, si për Maqedoninë, ashtu dhe për vet ShBA-të, pasi që mjerimi ekonomik nuk luftohet me tyta, shkopinj dhe blinde policore, por vetëm me investime direkte ekonomike./shenja