Paralajmërimet jozyrtare në BDI për ndryshimin e udhëheqësve të degëve, sidomos në Çair e Saraj të cilat momentalisht udhëhiqen nga anëtar të “Grupit të Zjarrit” sipas nënkryetarit të BDI-së Izet Mexhiti janë dëshmi se BDI-ja ka hyrë në një anarki të thellë ku nuk respektohet edhe statuti i partisë. Ai thotë se mbledhjet e fshehta të partisë, dëshmojnë funksionimin jo demokratik. Për veprimet anti statutare brenda BDI-së, Mexhiti thotë se mund të ngritët iniciativë në Gjykatën Administrative me të cilën, partia rrezikon të mbesë edhe pa statut por edhe pa struktura.

“Përveç të tjerave e kanë harruar programin, i kanë harruar premtimet ndaj qytetarëve, e kanë harruar kontaktin me qytetarin, me bazën dhe janë futur në një fushë të bizneseve të rrezikshme ku një BDI që del nga lufta, nga populli nga vlerat kombëtare, kanë arritur ta fusin në parti të kazinove, apo në parti ku skajshmërish paraqiten fenomenet devijuese të shoqërisë”, deklaroi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Jozyrtarisht mësohet se BDI përgatit zgjedhjen e kryetarëve të rinj në degët që llogariten si bastion i Grupit të Zjarrit dhe atë në Çair dhe Saraj. Për në Çair, përfliten tre emra që mund të jenë kryetar të degës së BDI-së, Adrijan Muça, Abdylselam Selami, dhe Bekim Neziri. Por nuk përmenden emra konkret të cilën mund ta udhëheqin BDI-në e Sarajit. Nënkryetari Izet Mexhiti thotë se për momentin është ndërprerë çdo kontakt me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare, ai thotë se më efikas dhe më i pranueshëm do të jetë një bashkëpunim i “Grupit të Zjarrit” me BESA-n dhe Alternativën sesa ai i BDI-së së ekzekutivit me Aleancën dhe PDSH-në.

“Këtu ka një energji, e para janë në opozitë dhe është ajo fryma opozitare, e dyta janë struktura të cilat në të kaluarën nuk kanë pasur ndonjë përplasje serioze në mes veti, ndërsa në anën tjetër kemi bashkim të disa forcave të cilat thuajse nuk kanë asgjë të përbashkët përveç se janë parti politike shqiptare, por ideologjikisht kanë pasur raste që kanë shkuar në ekstreme, ka pasur vrasje, plagosje dhe shumë situata të rënda. E tjetra është se edhe vetë deklaratat e Aleancës tash ti marrim e ti ripërtërijmë do i vëmë në pozitë të sikletshme edhe BDI-në edhe Aleancës tani që janë bashkë në një ekzekutiv…”, u shpreh Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Mexhiti shton se “Grupi i Zjarrit është në kontakt me të gjitha subjektet opozitare shqiptare. /Alsat.mk