VMRO-DPMNE ka dorëzuar sot në Kuvend mocionin për votëbesimin e Qeverisë. Nga VMRO-DPMNE e konfirmuan këtë duke deklaruar se, nuk janë ftuar mediat, për shkak të festave. Ndërsa kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi për gazetarët se pret që të mërkurën të mbahet seanca për interpelancën ndaj Qeverisë dhe shpreson se në fund të saj do të shkarkohet Qeveria aktuale e Zoran Zaevit.
Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE
“Shpresoj se të mërkurën do të jetë dita kur ne do të mund t’i argumentojmë pozitat tona. Ashtu është edhe sipas rregullores së Kuvendit. Pres që në fund të ditës të votohet mosbesim i Qeverisë, që të mundemi më pas të shohim se si do ta zhvillojmë Maqedoninë, të organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe gjithçka që shkon me të”.
Lidhur me takimin e liderëve për çështjen e kontestit të emrit, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski tha se ende nuk ka të caktuar datë konkrete, por se pret që ai të mbahet fundjavën e ardhshme. Kjo për shkak se atëherë do të ketë përfunduar edhe votimi i votëbesimit të Qeverisë por edhe pas takimit të ministrave të punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxijas, e cila është e paralajmëruar për më 12 prill.
Pas këtij raundi të dytë të cilën ministri jonë i punëve të jashtme do ta ketë me ministrin e jashtë të fqinjit tonë grek do të ketë ndonjë përparim. Shikojmë njëfar të ashtuquajturi optimizëm të ri, të cilin ministri dhe kryeministri i artikulojnë për opinionin. Të shohim në çfarë bazohet ai, a është ai edhe një optimizëm i paargumentuar dhe blef, ose përsëri ka ndonjë përparim. Shpresojmë se në atë takim të liderëve do të mësojmë më shumë rreth detajeve.
Deklaratat e këtilla kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski i bëri pas pjesëmarrjes në liturgjinë e mëngjesit në Kishën Shën Klimenti i Ohrit, me rastin e pashkëve./Shenja/