Juristi Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj paralajmërimit të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj se do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19.

Miftaraj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se ministri Zemaj do duhej të qartësonte se me cilin ligj do të veprojë, pasi siç tha ai Kosova ende nuk e ka miratuar ligjin për luftimin e pandemisë.

Miftaraj theksoi se ministri Zemaj duhet ta ri-formulojë më mirë fjalinë e paralajmërimit.

“Do të veprojmë me forcën e ligjit. Mirë shumë, vetëm të kishe pas ligjin e miratuar, e që nuk e ke. Kur nuk e ke, duhet me ri-formulu fjalinë, do të veprojmë me forcën e lutjes, komunikatës dhe vullnetit të qytetarëve se sa duan ta ruajnë veten, shëndetin e të tjerëve. Sidoqoftë, qytetari model, qytetari që mendon me veten, për miqtë, familjen, shtetin, sistemin shëndetësor dhe të gjithë ata mjekë dhe infermierë që nga muaji mars janë në front të luftës me COVID-19, i respekton masat, del me maskë, e ruan distancën, i lan duart. Qytetari i Kosovës ka ditë me qenë më i disiplinuar dhe më besnik ndaj shtetit dhe bashkëqytetarëve se sa vet pushteti”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se inspektorët sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Inspektorët Komunal do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19.