Brenda disa javësh, ish-kreun e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, e pret edhe një aktgjykim. Sipas orarit të caktuar nga Gjykata Penale e Shkupit, Mijallkovit në fillim të muajit prill – në cilësinë e të akuzuarit në rastin “Thesari”, pritet t’i shpallet vendimi nëse është fajtor për keqpërdorimin e detyrës zyrtare në këtë rast apo jo.

Me prezantimin e dëshmitarit të fundit, të hënën, faza e prezantimit të dëshmive u përmbyllë dhe më 22 mars prokurorët Artan Ajro dhe Trajçe Pelivanov, parashihet t’i japin fjalët përfundimtare, gjegjësisht një javë më vonë të njëjtën pritet ta bëjnë të akuzuarit në rastin “Thesari”. Përpos të akuzuarit Mijallkov, në këtë lëndë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” gjykohen edhe Toni Jakimovski, Goran Grujeski dhe Nenad Josifoviq.
Megjithatë, ky rast nuk është i vetmi për të cilën Sasho Mijallkovin e pret aktgjykimi. Ndonëse në fazë fillestare, ai po ashtu gjykohet edhe në lëndët gjyqësor për rastet “Tortura” dhe “Titanik 2”. Rasti i fundit me vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup është kthyer në rigjykim pasi më herët – Gjykata Penale e Shkupit i shpalli fajtor Mijallkovin, Menduh Thaçin dhe Bedredin Ibrahimin për ndikim të jashtëligjshëm në procesin zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Kësisoj u shfuqizuan edhe aktgjykimet kundër këtyre të akuzuarve, respektivisht Mijallkovi u dënua me tre vite burg, Thaçi me tre vite e dy muaj burg, si dhe Bedredin Ibrahimi me katër vite e gjashtë muaj burg. Njëherësh, nga Gjykata Penale njoftojnë se procedura gjyqësore për rastin “Tortura”, vazhdon me prezantimin e dëshmive.
Ndryshe, javën e kaluar – pas një procesi gjyqësor maratonik, prej më tepër se tre vitesh, GJPSH e solli aktgjykimi për rastin kryesor të përgjimeve të jashtëligjshme “Target-Fortesa”, me çka ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkov u dënua me 12 vite heqje lire, gjegjësisht të gjithë të akuzuarit së bashku përfshi edhe ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, (4 vite burg) për këtë lëndë u dënuan me 55 vite burg. Mëgjithatë, ajo çka bëri bujë në këtë rast nuk ishte lartësia e dënimit për Mijallkovin sesa ngjarjet që i paraprinë këtij vendimi. Dy ditë pas fjalëve përfundimtare të palës mbrojtëse – në këtë rast i akuzuari Mijallkov, ishte bërë i pakapshëm për organet e rendit. Frika se ai është arratisur nga vendi, ngjashëm si kushëriri i tij Nikolla Gruevski, i alarmoi institucionet relevante, të cilët në panik fillimisht shpallën urdhër-arrest në nivel shtetëror, pastaj edhe urdhër-arrest ndërkombëtar. Por, në fund doli se Mijallkovi, së paku sipas rrëfimeve të tij, kishte qenë i izoluar në një lokacion të panjohur si rezultat i dyshimeve se mund të jenë pozitiv ndaj virusit Kovid-19.
Ndryshe, Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studime Ballkanike (INFIMIES) në analizën e tyre të fundit kushtuar Maqedonisë së Veriut, thonë se gjatë periudhës së fundit në RMV ka pasur tentim për një “mini-grusht shtet” me qëllim të rrëzimit nga pushteti qeverinë e Zoran Zaevit. Siç thuhet në këtë analizë gjatë tre viteve të kaluara, makineri propaganduese e VMRO-DPMNE-në, ka konstatuar se Zoran Zaev dhe Sasho Mijallkov janë “një”. Por, ata shtojnë se arrestimi i shpejtë i Mijallkovit pas arratisjes dhe aktgjykimi i lartë me burg, i kanë demantuar këto deklarata.

ASNJË HETIM PËR IKJEN E MIJALLKOVIT

Prokuroria Publike akoma nuk ka nis një hetim serioz për përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror në rastin e ikjes së Mijallkovit javë më parë. Nga kjo Prokurori nuk ka asnjë informatë konkrete se, cili institucion apo zyrtar dështoi në sigurimin e Mijallkovit, konkretisht në mbrojtjen dhe mbajtjen e tij të qasshëm për organet e policisë dhe gjyqësorit. “Nuk ka asgjë të re. Bashkëpunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe presim pistat e përgjegjësisë, që më pas të nis hetimi”, thonë shkurt në Prokurorinë e shtetit. Në ndërkohë, besohet se sikurse në rastin e ikjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, përgjegjësi institucionale nuk do të ketë as për rastin e Mijallkovit. Madje, edhe më absurd – akoma nuk ka përfunduar zyrtarisht hetimi për ikjen e Gruevskit. (koha.mk)