Mijëra qytetarë të Tetovës kanë protestuar për të katërtën herë me radhë kundër vendimit të Komisionit Rregullator për energjetikë për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 7.5%. Protesta paqësore filloi dhe mbaroi në Sheshin ‘Iliria’, ku organizatorët i shpalosën kërkesat, një për KRRE-në, një për Qeverinë dhe dy për Kuvendin.

Këto ishin kërkesat e protestuesve:

1) Komisioni Rregullator për Energjetikë të shfuqizojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4% dhe ta ulë çmimin e rrymës për konsumatorët për 46%.
2) Qeveria e RMV-së të anulojë monopolin e shërbimeve të kompanisë EVN, dhe t’i japë fund sjelljes së tyre jokorrekte dhe jonjerëzore ndaj konsumatorëve; dhe të ulë TVSH-në nga 18% në 5%
3) Kuvendi i RMV-së të çaktivizojë (zhbëjë) Komisionin Rregullator Energjetik, sepse ky organ i shërben vetëm apetiteve të larta të grupeve të biznesit dhe korporatave që dëmtojnë mjaft rëndë xhepin e qytetarëve të varfër të vendit tonë;
4) Kuvendi i RMV-së të krijojë një trup të pavarur arbitrar, në shërbim të qytetarëve që do të verifikojë cilësinë e shërbimeve, dhe do të adresojë të gjitha ankesat e qytetarëve ndaj këtyre dhe korporatave të ngjashme zhvatëse si këto.

Në fjalimin e tij Arianit Xhaferi nga Këshilli Organizativ i protestës rikujtoi protestat kundër ndotjes së ajrit duke thënë se pjesëmarrja masive në to solli deri te mbyllja e ndotësit “Jugohrom”. Ai tha se me mbështetjen e qytetarëve u arrit qëllimi. Ai u shpreh i bindur se edhe vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, do ta zhbëjnë.