Sot dështoi seanca e pestë e konstituimit të Kuvendit. Koalicioni fitues i zgjedhjeve po pretendohet se nuk i ka numrat për kandidatin për kryetar të Kuvendit, një gjë e tillë po bënë që të ketë dështime të seancave të njëpasnjëshme.

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci i ka thënë lajmi.net, se nuk do të thërras më seancë deri sa partitë apo koalicionet të jenë gati, të deklarohen se i kanë numrat.

“Tash pres që partitë mes veti kanë me bo koalicione të reja kanë me u prish koalicion dhe tash varet kur po bohet dhe kush me kënd po bëhet. Kur Vetëvendosja vjen edhe më thotë se kemi bërë koalicion me këtë parti, cila do qoftë ajo pati pasi unë nuk di asgjë për atë parti, atëherë unë e thërras seancën, por dua të jetë prezent edhe parti që po i bashkëngjitet edhe po bën koalicion me Vetëvendosjen”, ka deklaruar Mikullovci për lajmi.net.

Mikullovci ka thënë, se është i detyruar ta thërras seancën kur PAN-i i ka siguruar numrat dhe i ka plotësuar kushtet që të thirret seanca.

“Nëse PAN-i lajmërohen dhe kërkojnë me bë seancën që i kanë numrat, kushtet atëherë unë jam i detyruar të thërras seancën”, qartësoi deputeti më i vjetër i Kuvendit.

Mikullovci tha, se deri tani nuk ka asnjë datë se kur do të ketë seancë, mirëpo tha, se kush do që bëhet gati duhet ta lajmërojë atë fillimisht.

“Datë deri më tani nuk ka, nuk është përmend asnjë datë. Kështu që e gjitha varet kush bëhet gati i pari më lajmëron”, tha në fund Mikullovci.

Kujtojmë, se njohësi i kushtetutës Riza Smaka, dje (e mërkurë) i tha lajmi.net se Mikullovci nuk ka të drejtë të thotë se nuk thërret seancë, pasi e ka obligim të thërras kur i kërkohet, vetëm nëse nuk është mirë me shëndet.