https://youtu.be/tK-L4GFKcbA

“Nëse një vendim i tillë do të sillet nga kryetari Ahmeti nga kryesia dhe nga të gjitha organet e BDI-së, sigurisht se do ta mbështesim me të vetmin qëllim, që gjithë kjo situatë sa më shpejt të zgjidhet dhe kthehet normaliteti i funksionimit brenda shtetit tonë.”

Ky nuk është vetëm qëndrimi i ministrit të drejtësisë Valdet Xhaferit. Të njëjtën gjë e thonë edhe ministrat e tjerë të BDI-së që aktualisht janë pjesë e qeverisë ekzekutive. Që të lëvizin punët përpara, ministrat thonë se janë të gatshëm të japin dorëheqje, por për këtë vendim presin “Aminin” nga Reçica e Vogël, gjegjësisht nga lideri i tyre Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër, nënkryetari i BDI-së Nevzat Bejta thotë se dorëheqja eventuale e ministrave do të ishte e kotë, së paku deri në konstituimin e plotë të parlamentit.

Arsyeja e dytë se përse Bejta është kundër tërheqjes së ministrave, është se nuk dëshiron që i gjithë pushteti të mbetet në duar të Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së, pasi që sipas tij, pikërisht kjo parti e ka futur vendin në krizë.

“Kuvendi si institucion ligjvënës ende nuk funksionon. Nëse do të funksiononte Kuvendi, atëherë ministrat e BDI-së do të jepnin dorëheqje dhe nuk do të kishte asnjë problem sepse dorëheqja e tyre do të pranoheshe.”02:37 “Nëse ministrat japin dorëheqje dhe nuk ju pranohet dorëheqja nga Kuvendi, ato mbajnë përgjithësi. Dhe nuk mundet na të ua lejmë pushtetin atyre të cilët e kanë sjell krizën në RM”, tha Nevzat Bejta, Nënkryetar i BDI-së.

Por ndryshe thonë njohësit e të drejtës kushtetuese. Osman Kadriu të martën në Click Plus tha se i pranoi apo jo parlamenti dorëheqjet, ministrat e BDI-së duhet të tërhiqen.

“BDI-ja duhet t’i tërheq të gjithë ministrat dhe me këtë gjë të krijoj krizë qeveritare. Tash ata japin arsye por ajo arsye nuk pinë ujë. Kurse s’kemi ne kujt të ja drejtojmë atë dorëheqje të ministrave në parlament. Por ajo nuk është relevante. Ajo është lëvizje politike, vendim politik. Ka apo s’ka organ që duhet të shqyrtojë atë dorëheqje, ajo është irelevante. Por ministrat duhet të tërhiqen”, tha Osman Kadriu, Profesor i të Drejtës Kushtetuese.

Për zgjidhjen e krizës politike secila partia ka formulën e vet. VMRO-DPMNE thekson se dalja nga kriza politike është hedhja poshtë e platformës së partive shqiptare dhe zgjedhje të reja parlamentare, ndërsa nga ana tjetër LSDM bën thirrje që t’i jepet mandati dhe të formohet Qeveria e re.

Nga zgjedhjet e fundit parlamentare ka kaluar më shumë se katër muaj, ndërsa aktorët politik ende nuk kanë arritur që të krijojnë qeverinë e re. Ende nuk është zgjedhur as kryetari i ri i Parlamentit, sepse në shtëpinë  ligjvënëse për disa ditë me radhë zhvillohen debate, kështu duke mos u vënë në rend të ditës zgjedhja e Komisionit për Emërtime dhe zgjedhja e kryetarit të Parlamentit. Debati në Kuvend do të kthehet pas mbarimit të festave të pashkëve.