Ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, ka ftuar Prokurorinë Publike që në bashkëpunim me MPB-në t’i nxjerrë para organeve të hetuesisë të gjithë pjesëmarrësit në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.
Ai është i prerë se ata duhet të trajtohen konform Ligjit për procedurë penale dhe Kodit Penal, pa ndikime nga jashtë dhe pa përdorur standarde të dyfishta gjatë procedurës hetimore.
 “Dua që të ftoj Prokurorinë që të bashkëpunojë me MPB-në dhe para organeve të hetuesisë të nxjerr të gjithë ata vandalë të cilët dhunuan, sulmuan institucionin më të lartë ligjvënës në vendin tonë, Kuvendin e Maqedonisë. Të nxjerrin para organeve të gjithë ata që sulmuan drejtpërdrejt deputetët e Kuvendit të Maqedonisë. Njëherit dua që të konstatoj që nuk mund të jetë identike ngritja e një padie ndaj protestuesve të cilët i patëm më herët, pra i referohem protestuesve të rastit “Monstra”, dhe të bëjë komparacionin e njëjtë me protestuesit që atakuan drejtpërdrejt Kuvendin e Maqedonisë dhe deputetët si të zgjedhurit e popullit. Prokuroria duhet që të ndëshkojë të gjithë këto dorasë, të gjithë sulmuesit konform Ligjit për procedurë penale dhe Kodit Penal, dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.
 Duke qenë të vetëdijshëm se çfarë ndodhi më 27 prill, ministri Xhaferi thotë se të gjithë ata prokurorë të cilët nuk do të veprojnë konform ligjit, do të mbajnë përgjegjësi për punën e tyre dhe veprimet të cilat i bëjnë gjatë procedurës hetimore.