Për krizën maqedonase, ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka vendosur të flasë qartë. Presidentit Gjorge Ivanov i kërkoi prerazi të mandatojë qeverinë, që ka shumicën parlamentare për t’i dhënë fund një herë e mirë krizës në vend.
Deutsche ëelle citon Sigmar Gabrielin, që mban edhe postin e zv/kancelarit të Gjermanisë, të jetë shprehur se shumica parlamentare në parlamentin maqedon egziston dhe është krijuar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas tij – shkalla e pasigurisë me të cilën po përballet vendi, zgjon emocionet e vjetra dhe përbën një rrezik të madh. Ndaj dhe kryediplomati gjerman kërkon angazhim maksimal për tejkalimin e bllokadave në Ballkan, veçanërisht në Maqedoni. Qëllimi është të shtohet kujdesi për  krijimin e një bashkëjetesë paqësore dhe demokratike.
Deklaratën, Gabriel e bëri pas takimit me homologun e tij spanjoll Alfonso Dastis në Berlin. Presidenti maqedon Gjorge Ivanov nuk i jep prej 1 marsit liderit të Lidhjes Socialdemokrate Maqedone, Zoran Zaev, mandatin për formimin e qeverisë së re, pavarësisht se ka nënshkrimet e numrit të nevojshëm të deputetëve për votimin e saj. Ivanov e konsideron të jashtëligjshme platfromën për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, të përfshirë në programin qeverisës të LSDM-së dhe partive shqiptare. Për këtë vendim është kritikuar ashpër nga Bashkimi Europian dhe shtetet perëndimore, pasi kriza politike është në dëm të integrimit europian të vendit.