Autor: Robert Nesimi

Deklarata e Selës. Javën e kaluar, pas takimit me Zaevin, Zijadin Sela dha një deklaratë interesante. Duke komentuar mosmarrëveshjet rreth koalicionit qeveritar, ai tha se i ka sugjeruar Zaevit të krijojë pozitë zëvendëskryeministri për të sjellur byrek dhe këtë resor t’ia jep BDI-së. Në publik kjo deklaratë u morr si humor dhe thumbim i shkathët i Selës për BDI-në. Shumë shpejt ajo u bë objekt talljeje, duke u replikuar në mënyra të ndryshme nëpër rrjetet sociale.

Personalisht unë mendoj se deklarata ishte tejet serioze dhe nuk u trajtua si duhet nëpër mediume dhe qarqe analitike. Deklarata ishte briliante, sepse me një fjali të vetme çoi tre mesazhe, në tre drejtime të ndryshme, për tre probleme tejet të rëndësishme.

Mesazhi për Zaevin. Mesazhi i parë i deklaratës duhet lexuar si përgjigje ndaj ofertës së Zaevit për Aleancën. Konkretisht Zaevi ofroi që në këmbim të Ministrisë së Shëndetësisë t’i japë Aleancës pozitën e zëvendëskryeministrit për reforma. Ky pozicion në kabinetin qeveritar as që ekziston dhe do të ishte krijuar enkas për Aleancën.

Sela ka refuzuar këtë ofertë me plot të drejtë dhe nëpërmjet deklaratës ka ilustruar shkakun pse e ka refuzuar. Pikë së pari pozita e zëvendësit për reforma është pozitë krejtësisht e trilluar, pa asnjë kompetencë. Ajo është pikërisht e llojit siç e ka identifikuar Sela – e barazvlefshme me pozitën e mbajtësit të byrekut.

Duke refuzuar ofertën dhe duke e barazuar atë me një ministri byreku, Sela ia ka bërë Zaevit me dije se nuk është në qeveri vetëm si dekor dhe vetëm për të furnizuar vota dhe legjitimitet në parlament. Barazimi i ofertës me pozicionin e bartësit të byrekut është përgjigja më e mirë për Zaevin –  jo më shqiptarë në qeveri vetëm për dekor, jo më shqiptarë në qeveri vetëm sa për sy e faqe. Për të kompletuar deklaratën, Sela ja bëri me dije Zaevit që të mos humb kohë me lojëra të tilla me Aleancën, sepse për kësi punësh e ka aty BDI-në.

Mesazhi për BDI. BDI ka qenë në qeveri herë me SDSM-në, herë me VMRO-në. Gjatë qeverisjes ajo pa problem ka adoptuar ideologjitë e partnerit maqedonas, pa patur ndonjë identitet të vetin politik. Për shembull BDI ka paraqitur si reformë futjen e testimit ekstern në kohën e VMRO-së, e mandej përsëri si reformë heqjen e testimit ekstern në kohën e SDSM-së. Shembuj të ngjashëm ka me mijëra. E gjithë “shkakthtësia” e saj ka qenë se ka tentuar të përvetësojë rezultatet pozitive të partnerit, ndërsa më pas të distancohet nga të këqijat.

Pikërisht kjo mënyrë sjellje është ajo që identifikohet me “bartjen e byrekut”. Me të drejtë është krijuar përshtypja se funksionarët e BDI janë në qeveri vetëm sa për sy e faqe, pa ingerenca të vërteta, vetëm për t’ua bartur çantën pushtetarëve maqedonas, ose më mirë me thënë për t’iu sjellur byrek. Pikërisht për këtë arsye mesazhi i Selës ishte mëse i qëlluar: me një fjali të vetme ai ka përshkruar mënyrën e funksionimit të BDI në qeveri. Me këtë njëkohësisht ka bërë me dije se ai dhe Aleanca nuk do të bëhen të tillë, madje edhe me çmim të daljes nga qeveria.

Mesazhi për qytetarët. Mënyra e tretë e leximit të deklaratës së Selës është mesazh direkt për qytetarët. Duke identifikuar postet e zëvendëskryeministrave me role koti, si poste të trilluara për të kënaqur apetitet meskine të disa politikanëve, ai ia ka tërhequr vëmendjen opinionit se një mori postesh të këtilla ekzistojnë me të vërtetë. Këta janë ministra pa resorë, ministra pa resorë dhe pa kompetenca, pra ministra të vërtetë byreku që “punën” e tyre shumë më lehtë do e bënin në suaza të ministrive tjera ekzistuese. Për shembull eurointegrimet dhe diaspora mund të funksionojnë në suaza të ministrisë së punëve të jashtme, punët e çështjeve ekonomike ose investimeve të huaja në suaza të ministrisë së ekonomisë apo financave e kështu me rradhë. Pra këto poste janë plotësisht të trilluara, të panevojshme, shpenzojnë kot buxhetin e shtetit dhe paratë e qytetarëve dhe janë krijuar vetëm për të kënaqur apetitet personale e partiake të disa individëve e partive.

Të kuptohemi, bartësit e këtyre posteve vërtetë kanë patur pushtet real në disa raste. Nëse e “bëjnë mirë byrekun”, gjegjësisht nëse i kanë punët mirë me byrek-ngrënësin kryesor – Kryeministrin, këta pushtetarë mund të kenë ndikim të madh në politikat qeveritare. Të tilla janë rastet e Vladimir Peshevskit më parë dhe të Koço Angjushevit tani. Por peshën e tyre politike nuk e ka sjellur funksioni i tyre i trilluar, sa e sjell afërsia me Kryeministrin.

Në këtë kontekst Sela me deklaratën e tij ka tërhequr vëmendjen dhe ka ngritur alarmin për harxhimet e kota të posteve të trilluara. Sado qesharake të duket, ai ka bërë me dije se ministri të tilla të byrekut ekzistojnë vërtetë, vetëm emrin e kanë ndryshe. Duhet thënë se kjo është konzistente me qëndrimet e mëparshme të Selës, i cili më herët pati deklaruar se nuk ka nevojë që qeveria të ketë më tepër se një zëvendëskryeministër. Të tjerat janë vetëm për të sjellur byrek.

Pesha e deklaratës. Sido që të jetë deklarata e Selës është tejet e mirëseardhur. Ai ka bërë me dije se tani e tutje ka shqiptarë që nuk do të mjaftohen me bartjen e byrekut, por se do të jenë në qeveri për të bërë punë të vërtetë. Dhe me refuzimin e ofertës së Zaevit bën me dije se nuk do të reduktohet në rol të tillë, qoftë kjo me çmimin e daljes nga qeveria. Është koha që këtë qëndrim, këtë mentalitet të bërjes së politikës, t’a përqafojnë edhe partitë tjera dhe gjithë shqiptarët më gjërë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.