Partnerët e koalicionit qeveritar po zhvillojnë konsultimet e fundit pak ditë para rikonstruimit të qeverisë. Kryeministri Zoran Zaev, ka takuar sot kreun e “Alternativës” Afrim Gashin dhe atë të PDSH-së Menduh Thaçin, i kanë thënë portalit Plusinfo, burime qeveritare.

Sipas këtyre burimeve, ministria e Kulturës do t’i mbetet “Alternativës”, ndërsa nga partia e Thaçit nuk japin informacione nëse Bardhyl Dauti do të mbetet edhe më tej ministër pa resor në Qeverinë e Zaevit.

BDI ka konfirmuar se do të ketë ndryshime në tre ministri nga gjithsej pesë sa i drejton kjo parti. Tashmë është e qartë se zëvendëskryeministri i SIMO Hazbi Lika do të largohet nga qeveria. Ministrinë e re për Sistem Politik do të drejtojë Sadulla Duraku, kurse në krye të ministrisë së Ekologjisë pritet të vjen Naser Nuredini.