Nga Ministria e Shëndetësisë sot i mohuan me forcë pretendimet e deputetit të partisë opozitare Antonio Miloshoski të publikuara në rrjetet sociale se ilaçi Kleksan nuk është në listën pozitive të barnave.

“Na vjen keq që në vend që të jetë i përgjegjshëm para votuesve të tij, mbështetësve dhe në përgjithësi ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputeti zgjodhi t’i manipulojë ata. Kleksani është një ilaç spitalor. Është gënjeshtër që ilaçi Kleksan nuk është në listën pozitive të barnave. Jepet vetëm nën mbikëqyrjen e një personi mjekësor, në prani të një mjeku ose infermiere. Medikamenti Kleksan mund të blihet edhe në farmaci me recetë të përshkruar vetëm nga një specialist, dhe më pas FSSH RMV i rimburson paratë”, theksuan nga Ministria e Shëndetësisë në demantin e sotëm.

Nga Ministria nënvizojnë se për shkak të pandemisë kovid, konsumi i Kleksan është rritur në të gjithë botën, si dhe në vendin tonë, tre herë më shumë sesa përdorimi i zakonshëm i kësaj terapie antikoagulante.

Në demantin nga Ministria thuhet se Kleksan dhe Ksarelto janë dy ilaçe të ndryshme, megjithëse Milloshoski, për arsye të njohura vetëm nga ai, qëndron dhe i shkruan ato si një ilaç.