Pas refuzimit të presidentit Stevo Pendarovski për të nënshkruar dekretin për Ligjin për përcaktim të statusit juridik të objekteve pa leje dhe reagimeve të shumta në opinion, Qeveria javën e kaluar tërhoqi këtë ligj nga Kuvendi. Por, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është duke përgatitur ligj tërësisht të ri për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Këtë e kanë konfirmuan për Portalb.mk nga kjo ministri, prej ku thanë se tash më po punohet në këtë drejtim.

“Ligji është tërhequr nga Kuvendi, tani do të bëhet ligj i ri. Tani mbledhim propozime nga të gjithë palët e interesuara dhe do të ulemi në tavolinë t’i shohim të gjitha propozimet dhe do të përpilojmë ligj të ri. Do të shohim ta mbrojmë interesin publik dhe interesin e qytetarëve”, thanë nga Ministria e Transportit.

Ata kanë shtuar se kësaj radhe, po konsultohet edhe organizatat joqeveritare dhe ekspertët e fushës dhe po mblidhen propozime prej të gjitha palëve, të cilat do të analizohen dhe më pas do të përpilohet një ligj i ri.

“Kolegët punojmë, kanë komunikime të përditshme me të gjitha palët e interesuara, organizata joqeveritare, shoqata civile, me BNJVL dhe mbledhim propozime, kur të krijojmë ligj do ta prezantojmë. Kemi takime me BNJVL, OJQ-të, odat e arkitektëve, me asociacionet e arkitektëve, të gjitha palët e interesuara, të mjedisit jetësor, të gjitha palët e përfshira që do të ishin në ligj”, deklaruan nga ky dikaster.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 maj votoi ligjin për legalizimin e objekteve pa leje të propozuar nga Ministria e Transportit, me mbështetje nga deputetë edhe të pushtetit edhe të opozitës. “Pro” kanë votuar 72 deputetë, tre ishin “të përmbajtur”, ndërsа pesë “kundër”.

Mirëpo, miratimi i këtij ligji u prit me reagime të bujshme në opinion, ndërkaq presidenti Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi dekretin për shpalljen e ligjit më 14 maj dhe e ktheu në Kuvend.

Në vërejtjet e tij, Pendarovski ka thënë që Ligji nuk është kushtetues për shkak se ofron amnisti për persona fizik dhe firma për ndërtim pa leje dhe që në atë mënyrë stimulohet mosrespektim i dispozitave juridike. Ai e kontestoi edhe nenin nga Ligji me të cilin parashihet legalizim i objekteve pa leje në zona të mbrojtura dhe parqe nacionale, me arsyetim që ka shkelje të obligimit themelor të shtetit për ta mbrojtur mjedisin jetësor.

Kryeministri, Zoran Zaev fillimisht tha se, Qeveria do të vazhdojë me diskutim dhe përmes ekipeve profesioniste në Qeveri, munden të shkojnë një hap më tej në specifikimet më të hollësishme të legalizimit në parqet nacionale dhe zonat e mbrojtura. Por, më 29 maj Qeveria, në bazë të raportimit të aktiviteteve të realizuara dorëzuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve solli Vendim për tërheqje të Ligjit për konfirmim të statusit juridik të objekteve pa leje.

Ekspertët vlerësojnë se me miratimin e një ligji për legalizim do të stimulonte drejt asaj që ndërtimet e egra të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Edhe Shoqata e Arkitektëve të Maqedonisë është kundër miratimit të Ligjit për legalizimin e objekteve pa leje. Sipas tyre, i njëjti i pezullon të gjitha rregulloret e vlefshme të planifikimit urban që kujdesen për cilësinë e hapësirës së ndërtuar dhe jep sinjal të gabuar se ndërtimi i paligjshëm nuk do të ndëshkohet.