Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, deklaroi se Kosova i uli tensionet duke vendosur t’i shtyjë zgjedhjet në veri, ndërsa Serbia e bëri të kundërtën, duke paralajmëruar dërgimin e forcave serbe.

Ajo shkroi në Twitter të dielën se kjo retorikë e Serbisë është e papranueshme, e sipas saj, edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it në veri, janë të papranueshme.

Ministrja gjermane tha se e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Të tilla janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E tërë mbështetja shkon për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, shkroi Baerbock.