Kuvendi miratoi ligjin për Amnisti. Me 58 vota pro dhe një votë të përmbajtur, ligjvënësit i dhanë dritë jeshile lirimit të mbi 670 të burgosurve dhe zvogëlimin e masës së dënimit për rreth 3000 të burgosur. Ky ligj nuk përfshin personat e dënuar me burg të përjetshëm, ata për vrasje, pedofili, veprat kundër shtetit dhe procesit zgjedhore si dhe veprat kundër të drejtave ndërkombëtare. Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja është në përpilim e sipër të propozim-ligjit për amnisti i cili do të përfshi personat pjesëmarrës në zhvillimet e dhunshme në Kuvend. Nga ky subjekt nuk bëjnë me dije se kur konkretisht propozimi do të dorëzohet në Kuvend. Partitë tjera parlamentare kanë qëndrim të ndarë në lidhje me propozimin e VMRO-DPMNE-së. Derisa LSDM-ja nuk komenton diçka që sipas tyre, akoma nuk ka arritur në Kuvend, BDI pretendon se për zhvillimet e përgjakshme të 27 prillit të vitit kaluar, përgjegjësia është e domosdoshme.

Qëndrimi i BDI-së është që sistemi i drejtësisë të funksionon për të gjithë dhe ngjarjet e 27 prillit duhet të zbardhen, pavarësisht se cili do të jetë qëndrimi i partive tjera përfshi këtu edhe atë të LSDM-së – dekalroi Ejup Alimi, Deputet i BDI-së.
Lëvizja Besa fillimisht do të shqyrtojë propozimin dhe në bazë të koordinimit më subjektet tjera do të qartësojë qëndrimin ndaj ligjit për amnisti të propozuar nga VMRO-ja.

Për çdo draft ligjor ne si grup parlamentar i trajtojmë çështjet dhe i diskutojmë së bashku dhe marrim qëndrim. Nuk shoh përjashtim edhe për këtë draft të cilin akoma nuk e kemi në Kuvend. Nëse vije në Kuvend, ta diskutojmë, të shohim për çka bëhet fjalë dhe pastaj të marrim qëndrim – tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në një paraqitje televizive theksoi se subjekti i tij nuk pretendon faljen e të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunshme, por vetëm të një pjesë të tyre, duke pretenduar kështu në 6 deputetët e kësaj partie. Ligjin për amnisti ndaj personave të përfshirë në dhunën e Kuvendit e kërkoi edhe Presidenti Gjorge Ivanov, si parakusht për paqe nacionale në Maqedoni. Nga ana tjetër, ekspertët hodhën dyshimet e tyre mbi këtë ligj, duke e quajtur atë si mekanizëm të opozitës për t’u kthyer në Kuvend me qëllim që kjo e fundit t’i zgjasë dorën shumicës gjatë votimit të ligjeve për të cilët nevojiten 2/3 e votave. Amnistinë për 27 prillin opozita e kërkon në momentin kur në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion lënda është akoma në procedurë hetimore./alsat