Agjencia e mediave miratoi metodologjinë me të cilën gjatë fushatës zgjedhore do të ndjek nëse mediat informojnë në mënyrë të baraspeshuar. Agjencia në 30 ditët e para çdo dhjetë ditë do të informoj për punën e mediave dhe nëse në ato dhjetë ditë konstatohet se ndonjë medium dhjetë herë bën prezantim mediatik në favor të pushtetit, do të ketë gjoba. Pas këtyre 30 ditëve, gjobat do shqiptohen nëse bëhen pesë gabime e jo dhjetë si më parë.

“Nëse për shembull, në një edicion informativ qendror prej 30 minutave, maten 18 minuta, nëse ndonjë medium dëshiron t’i mbulojë të gjitha aktivitetet e funksionarëve në pushtet, bashkë me aktivitetet e partive në pushtet, për ta mund të ndajnë më së shumti 12 minuta, ky medium në mënyrë obligative duhet 6 minuta për aktivitetet e opozitës”, tha Zoran Fidanovski, Agjencia e Mediumeve.

Ndaj kësaj metodologjia ka reaguar LSDM-ja opozitare, sipas të cilës bëhet fjalë për shkelje të ligjit. “Është e papranueshme zbatimi i modelit francez për arritjen e pluralizmit politik jashtë periudhave zgjedhore dhe përputhjen e tij me praktikën dhe rregullativen në Maqedoni për periudhat zgjedhore. Në vend të zbatimit të modelit francez, koha e ndarë në lajme për partitë opozitare duhet të jetë e paraparë me kohën e ndarë për partitë në pushtet”, i shkroi kreu i LSDM-së Zaev, Agjencisë së medieve duke kërkuar ndryshim të tekstit. Ndryshe në bazë të metodologjisë nuk do të monitorohen internet portalet.

“Që të mund të bëhet mbikëqyrja e zbatimit të dispozitave nga kodi zgjedhor tek internet portalet, është e domosdoshme që paraprakisht të ketë ndryshime përkatëse ligjore. Gjithashtu, siç thamë herën e kaluar, ne u drejtuam deri tek institucionet kompetente disa herë, që në janar të këtij viti, dhe deri më sot nuk ka ndryshuar asgjë në raport me qëndrimin që e kishim në janar”, u shpreh Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë së mediumeve.

Sa i përket informimit për aktivitetet e presidentit të shtetit, koha për këtë nuk do të matet, përveç nëse deklarata e tij nuk është në favor të ndonjë partie të caktuar politike. Njëjtë do të jetë edhe me organizatat dhe shoqatat qytetare.