Në seancën e sotme për Rastin e “Lagja e Trimave”, përpos Valdet Zekajt, ka dëshmuar dhe i akuzuari Mirsad Qerimi.

“Ardhja ime në Kumanovë kishte për qëllim rregullimin dhe formatimin dhe rregullimin e një rrjeti të kompjuterëve me ftesë të Beg Rizaj”, kështu tha para trupit gjykues i akuzuari i grupit të Kumanovës Mirsad Qerimi. Qerimi kujton se më 8 maj e ka pyetur prapë Beg Rizajn se çfarë ndodhi me kompjuterët. Ai tha se nuk kam pasur armë dhe uniformë gjatë qëndrimit të tij në Lagjen e Trimave.

“Pasi u dorëzuan pjesa e parë e grupit, Begu tha se edhe ne se shpejti do të dorëzohemi dhe kështu ne tentuam të dorëzohemi. Mirëpo, papritmes filluan të shtënat e mëdha, prej ku u vranë dy pjesëtarë të grupit, emrat e të cilëve nuk i di. Pesë minuta pasi ndodhi kjo vrasje, të shtënat u ndalën dhe ne filluam të dorëzohemi një nga një. Fillimisht ka dalë Andi Krasniqi –Malisheva, pastaj i dyti Esat Kafegjolli, i treti Beg Bajraj , i katërti kam qenë unë dhe pas në rend për t’u dorëzuar ishin Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj”, tha Mirsad Qerimi.

Snezhana Stefanovska, avokatja e Mirsad Qerimit, tha se klienti i tij ka treguar qartë motivin dhe arsyen e ardhjes.

“Të gjithë atë që e kishte për të thënë e tregoi, për fakte të cilat janë të rëndësishme për verifikimin e situatës faktike dhe për nivelin e akuzës për të cilën akuzohet. Mirsad Qerimi nuk kishte asnjë motiv për të ardhur në Maqedoni, ai tregoi si, pse dhe për çfarë erdhi këtu”, u shpreh Snezhana Stefanovska, avokate.