Politika dhe vendimmarrësit duhet të shkunden e tunden dhe të kuptojnë se zhgënjimi i sjellë ndër vite ka bërë që pasion i njerëzve të jetë ikja nga ky vend dhe jo suksesi dhe zhvillimi personal i secilit prej nesh. Por, paralelisht me këtë përgjegjësia bie mbi secilin prej nesh, nëse heshtim e nuk veprojmë, e nuk tentojmë që të ndikojmë në ndryshimin e këtij sistemi mbytës të progresit. E një mënyrë është vota në referendumin për emrin!

Nga Nazim RASHIDI

Vera gjithmonë të sjell komunikime më shumë. Dalldia e saj bën që të takohesh me njerëz që i njeh, që i ke pas njohur e si ke parë me vite, apo dhe njerëz të rinj, miq të miqve që të gjithë të japin një pasqyrë edhe më të gjerë të asaj se çfarë ndodh, apo dhe çfarë opinionesh zotërojnë tek njerëzit.

Sot disi do ndaj dy të tilla, që uroj të godasin atje ku duhet sepse janë të dy mjekëve, të rinj e plot perspektivë, por të ikur tashmë në Gjermani. Të dy mjekët janë nga dy qytete të Maqedonisë, duke lënë pa ekspertizat e tyre dy popullsi mangut me ekspertizat e tyre. Ikja e të dyve mund të ketë qenë për arsye të ndryshme, por i bashkonte ama zhgënjimi se gjërat nuk po ecin siç duhet dhe se i gjithë mundi i tyre për tu bërë profesionistë nuk po shpërblehej nga institucionet, e sidomos jo nga shteti.

I pari që disi më nxiti ta shkruaj këtë tekst, kishte qenë pesë vjet pa punë, pesë vjet i regjistruar në entin për punësim dhe asnjë institucion nuk i kishte ofruar mundësi punësimi apo dhe mundësi për specializim, ndërkohë që vazhdimisht flitet për mungesë mjekësh. Sigurisht doktori i ri dhe ambicioz që kishte kryer studimet gjashtë vjet e gjysmë, për gjatë pesë vjeçarit nuk kishte pritur kot, por kishte investuar vetë, në specializim. Pas rreth 10 vjetësh dëshpërimi rritej dhe e vetmja zgjidhje kishte mbetur ikja. I duhej mjekut ambicioz edhe rreth 2 vjet të tjera të mësojë gjermanishten, të japë provime shtesë, që sot ai, të punojë në një prej klinikave prestigjioze universitare në Gjermani. Në fillimin e të tridhjetave të tij, me elan dhe energji prej divi, e dëgjoja si fliste krejt pasion, për arritjet, për punën, për respektin e parë. Për faktin se si klinika e kishte zgjedhur në konkurrencë me një gjerman, por e kishte marrë këtë në punë për shkak të aftësive. Tregonte mjeku me pasion të plotë kënaqësinë e suksesit të arritur vetë e me dije, një ndjenjë që mbase shumë pak vetë e dinë tek ne, ku gjithçka funksionon me miq e njohje, madje edhe kur je sëmurë keq. Mjeku i ri që dukej si i marrë nga serialet e famshme me doktorë dhe me plot sukses dhe synime edhe për arritje më të mëdha, megjithatë nuk do të punonte asnjëherë në Maqedoni. E përshkruaj në fakt gjithë përvojën e tij të cilën ai edhe vetë e përshkruante edhe me shumë emocion, për ta arritur pikërisht efekt. Mjeku i suksesshëm më tha: S’dua të kem asgjë më me Maqedoninë. Nuk do kthehem kurrë. Për pak vjet do heq dorë edhe nga shtetësia dhe do bëhem gjerman.

Aq zhgënjyese dhe me zemërim e kishte bërë përvoja këtu, sa që vlerësimi dhe suksesi i arritur, por vetë ama në një sistem meritrokracie e kishte bërë as mos hedhë shikime prapa, e jo më të mendojë kthimin. Sigurisht, si në çdo sagë Ballkani, familja e miqtë e fëmijërisë e mbanin me lidhjet këtej, por jo dhe ambicia apo dhe dëshira për tu kthyer e kontribuar këtu. Miq ky është realiteti. Njerëzit kanë një zhgënjim total dhe e vetmja ç’ka mendojnë në këtë sistem jetese dhe mënyra e funksionimit të shoqërisë sot ku gjithçka ka degradim, e vetmja gjë që flitet e mendohet është ikja. Si të iket nga ky vend.

Mjeku i dytë të cilin e takova, ka shkuar gjithashtu në Gjermani. Për dallim nga i pari, i dyti ka ikur vet i treti. Me gjithë gruan dhe djalin e tyre. E njihja prej kohësh këtë mjek dhe duke biseduar e pyeta ku është dallimi i jetës e punës? Për dallim nga mjeku i pari, ky i dyti punonte më herët në Maqedoni dhe rasti i tij jep një pasqyrë edhe më të mirë krahasuese. Sigurisht siç edhe përshkruajnë të gjithë, kushtet e punës dhe shqetësimi për mungesë medikamentesh apo mjetesh nuk mungonte. Aq bazike dhe e frikshme është kjo, sa nuk të besohet se ende duhet folur për kushte të thjeshta, si pastërtia apo dhe kujdesi i përgjithshëm nga spitalet. Por ajo që më shumë theksoi është rendi, rregulli dhe funksionimi i shoqërisë dhe jetës me rregull. Si prind fliste për mundësitë që kishte djali i tij, për sport, por edukim, për argëtim dhe që të gjitha falas.

Kushte që ofronte qyteti, shteti pa ngarkesa dhe me plot mundësi zhvillimi. Një vend tha, ku nëse punon e merr atë që të takon e ku fëmijës i jepet aq shumë perspektivë. Por edhe në këtë përshkrim nuk është se habitesh, ose të thuhet diçka që nuk e dimë, ajo që të bën përshtypje është mungesa e dëshirës për tu kthyer në vendlindje.

Qëndrimi që të trondit është kur thotë se nëse ishim një vend si më përpara, ku autobusët funksionojnë me orar, ku ka klube sportive, ku në zyra zgjidh punët menjëherë, edhe pse mund të fitonte më pak, do të kishte preferuar që të rikthehej. Por, sipas tij kjo asnjëherë nuk ka për të ndodhur. Si rrjedhojë ai asnjëherë nuk do të kthehet. Aq më shumë kur ka provuar sistemin, punën dhe spitalet në Maqedoni për të cilat, por edhe për gjithë rendin e funksionimit të vendit thotë se s’ka shpresa për përmirësim.

Nuk e kam zakon të përhap pesimizëm dhe zemërim, por them se ka ardhur momenti të shihet realiteti në sy. Kjo është pasqyra që na vjen nga njerëzit tanë, mjekë në këtë rast, që e njohin sistemin dhe shtetin tonë. Por çështja është se çfarë duhet bërë? Do rrimë e të ankohemi dhe do ëndërrojmë Gjermaninë të gjithë, apo do veprojmë disi? Këto pyetje vinë në një moment kur duket se Maqedonia është në një udhëkryq jo thjesht mes progresit dhe ngecjes, mes mundësive dhe ngecjes, por edhe mes shpresës dhe ngecjes.

Përfshirja në BE, sensi i çlirimit nga një ndjenjë mbytëse prej vitesh por dhe vetëm idea se standardet e atyre spitaleve dhe kushteve të përshkruara nga mjekët një ditë, qoftë edhe e largët, mund të jenë realiteti edhe i joni, mund të sjellin një moment që njerëzit mos e mendojnë ikjen. Madje ky moment që do të vijë me referendumin për çështjen e emrit, mund të sjellë edhe ndryshimin në mendjen e mjekëve tanë, se edhe mund të mendojnë kthimin në vendlindje. Mjekëve tanë, u ka ikur shpresa, siç edhe njerëzve të tjerë, se gjërat mund të bëhen më mirë. Kur flasin ata për mbarëvajtjen e punës dhe jetëve të tyre, flasin për një sistem që është i munguar tek ne. Epo mundësia e anëtarësimit të kësaj shoqërie brenda sistemeve të mëdha, ku bëjnë pjesë vendet e zhvilluara, sjellin këtë shpresë.

Politika dhe vendimmarrësit duhet të shkunden e tunden dhe të kuptojnë se zhgënjimi i sjellë ndër vite ka bërë që pasion i njerëzve të jetë ikja nga ky vend dhe jo suksesi dhe zvillimi personal i secilit prej nesh. Por paralelisht me këtë përgjegjësia bie mbi secilin prej nesh, nëse heshtim e nuk veprojmë, e nuk tentojmë që të ndikojmë në ndryshimin e këtij sistemi mbytës të progresit. E një mënyrë është përfshirja e shoqërisë tonë në sisteme vlerash, ligjesh dhe veprimi ku regresi, nepotizmi dhe padrejtësia nuk ka vend. Këtë duhet ta bëjmë qoftë edhe vetëm për të dhënë idenë e mundësive edhe pse mendoj se nuk duhet kënaqur me kaq. Këtë duhet ta bëjmë për të sjellë ndryshimin realisht.

Në një rast të tillë edhe dy mjekët tanë, shqiptarë të mençur, inteligjent, përparimtar, modelë të cilit do i kishim dashur pranë, që fëmijët të rriten me idenë se duan të bëhen si ata, jo vetëm ta mendojnë, por edhe ta bëjnë rikthimin në vendlindje. Por, e bëjmë dot? Gandi ka thënë se çdo rrugë e gjatë fillon me një hap të vogël. Tani ky hap është me një votë në referendum!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)