Pas turit Ballkanik shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini përsëriti qëndrimin e Brukselit se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është ndër prioritetet e gjeneratës aktuale të politikanëve, e jo të atyre të ardhshëm. “Ballkani gjithmonë ka qenë pjesë e Evropës, asnjë barrierë politike nuk do mundet ta ndryshojë këtë”, shtoi Mogerini. Ajo nesër do të raportojë para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së për situatën në Ballkan përfshirë edhe Maqedoninë. Analistët presin që reagimet e Brukselit të ashpërsohen nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë të krizës politike.

 Nëse gjendja në Maqedoni përshkallëzohet dhe ndodh dhunë, nuk duhet të përjashtohet mundësia e ndërhyrjes ndërkombëtare sepse ajo është shumë e interesuar ta ruajë stabilitetin në rajon. Ne tashmë e dimë sesi gjendja e tensionuar dhe konflikti mund të reflektohet në vendet tjera, sidomos në Kosovë – deklaroi Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

Porositë e Mogerinit flasin për gjendjen shumë serioze në Maqedoni, vlerëson Simonida Kacarska, nga Instituti i politikave evropiane.

 Sipas vlerësimit tim, reagimet janë shumë të ashpra. Për herë të parë pas një kohe të gjatë e dëgjoj fjalën konflikt, bëhet fjalë për përshkallëzim të mundshëm, qoftë në aspekt etnik apo konflikt gjeopolitik – tha Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për Politika Evropian.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini gjatë vizitës së saj në Maqedoni porositi që presidenti Gjorgje Ivanov të tërheq vendimin e tij të fundit dhe mandatin për formimin e qeverisë së re t’ia ndajë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, pasi ai arriti të sigurojë shumicën në Parlament.

Alsat M