Ballkani Perëndimor do të jetë temë e rëndësishme në bisedimet e sotshme në Bruksel. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, pas vizitës së javës së kaluar në Maqedoni dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të raportoj sot para Këshillit të punëve të jashtme të BE-së, për situatën politike në rajon. Mogerini para takimit të Këshillit deklaroi se situata në Ballkanin Perëndimor është e tensionuar por,  ka kapacitet për t’u përballur me sfidat nëse përkrahet me integrim të besueshëm euroatlantik.

“Sot do t’i informoj ministrat për punë të jashtme të anëtarëve të Unionit, ndërsa të enjten edhe presidentët e shteteve apo kryeministrat për gjendjen e Ballkanit, e cila është e tensionuar dhe e ekspozuar ndaj sfidave të  brendshme, rajonale  por edhe globale. Por, ai është rajon i cili vet ka kapacitete dhe forcë të reagoj, me kusht kredibiliteti i procesit eurointegrues të jetë prezent”, ka deklaruar Federika Mogerini, Përfaqësuese e lartë e BE-së.

Mogerini ka thënë se institucionet evropiane presin të shprehin  përkushtim të qartë dhe të  fortë në perspektivën kredibile të integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së gjatë javës së kaluar, në kuadër të vizitës së saj të Ballkanit Perëndimor, realizoi vizitë edhe në Maqedoni, ku u takua me presidentin e vendit dhe liderët e partive të mëdha politike. Mogerini ka dënuar vendimin e Ivanovit dhe ka kërkuar nga ai që të tërheq të njëjtin, pasiqë vendimi është në kundërshtim me me vlerat demokratike dhe të NATO-së dhe e ka futur vendin në një krizë të thellë.

Teuta Buçi /SHENJA/