Maqedonia ka mjaftueshëm kohë që deri në qershore të ndërmarrë hapat e nevojshëm që do t’i sillnin datë për fillimin e negociatave. Përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini gjatë qëndrimit në Shkup dhe pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, shprehu pritshmëri të larta nga vendimi i Këshillit të Evropës duke shtuar se vendi u kthye në rrugën e duhur. Me tone pozitive, u drejtua edhe komisioneri për zgjerim Johanes Han gjatë dorëzimit në duart e kryeministrit Zaev, të raportit të progresit për Maqedoninë, të publikuar një ditë më parë nga KE-ja. Ai kërkoi pavarësinë e plotë të gjyqësorit dhe zgjidhje të çështjes së emrit me Greqinë.
Duke pranuar se ky rezultat është i përbashkët, i Qeverisë dhe opozitës, u jep të dy palëve përgjegjësinë për të bashkuar forcat për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren. Ka kohë, koha kohë për t’u shfrytëzuar në mënyrën e duhur, të mençur dhe të guximshme siç ka qenë rasti në këto dhjetë muajt e fundit kur keni ndërmarrë hapa të cilat dhjetë ose 12 muaj më parë kanë qenë të paimagjinueshme. Unë besoj që është e mundur që Këshilli Evropian të marrë vendime pozitive, definitivisht po – deklaroi Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e BE-së.
Reformat tani duhet të vazhdojnë, veçanërisht në sfera të rëndësishme si përmirësimi i pavarësisë së gjyqësorit. Ndryshimi nuk nënkupton vetëm përmirësim të legjislacionit por edhe zbatim. Tani është çështje rezultatesh, është çështje zbatimi dhe këtu kemi besim tek ju, tek përcaktimi jua. Kjo është pjesa që tani vendet anëtare kërkojnë dhe në këtë aspekt ju mund të jeni një model për rajonin nëse zbatimi konkret zen vend. Kjo nënkupton një mbështetje shtesë për të hyrë shpejt në fazën tjetër të marrëdhënies tonë, prandaj u lutemi, tani fokusohuni në zbatim – tha Johanes Han, komisioner për fqinjësi të mirë dhe zgjerim në Bashkimin.
Kryeministri Zaev deklaroi se vendi mbetet i përkushtuar për zbatimin e reformave duke shtuar se në qershor pret datë për fillim të negociatave.
Mbetuni mbështetës të fokusuar të Maqedonisë. Jemi të përkushtuar në mënyrë energjike për zbatimin e reformave përmbajtësore dhe sipas Planit 3-6-9 dhe që sot i vendosëm në tavolinë përgatitjet për dinamikë të re të procesit reformues deri në fund të vitit 2018. Do t’i justifikojmë pritshmëritë, do t’u japim arsye të reja për mbëstetje sepse qytetarët e Maqedonisë meritojnë të jenë pjesë e Evropës – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi pas takimit me komisionerin Han ftoi të gjithë partitë parlamentare të japin kontributin e tyre në rrugën euro-atlantike.
Unë besoj që subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend periudhën në vijim të reflektojnë për të gjithë ata nevoja që kanë në aspekt procedural, të kryhen, që të mundet edhe esencialisht vendi jonë të haprojë drejt anëtarësimit në BE. Nuk ka vërejtje. Ky është një nga raportet që nuk ka aspak vërejtje nga asnjëra prej vendeve anëtare të BE-së por udhëzojnë zbatimin e atyre që janë miratuar si ligje – tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit .
Përfaqësuesit e BE-së takuan edhe presidentin Gjorge Ivanov dhe liderët politik kurse të enjten Mogerini do t’u adresohet deputetëve në Kuvend. Gjatë javës së ardhshme Shkupin pritet ta vizitojë edhe presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.
Fatlume Dervishi