Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka porositur udhëheqësit politikë në Kosovë se është koha e fundit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, proces i cili, sipas saj, do të zhbllokojë procesin e liberalizimit të vizavem.

Mogherini në konferencën për media së bashku me kryeministrin Isa Mustafa, ka përsëritur se Kosova ka pasur dy kushte për liberalizimin e vizave. Kushti i parë ishte luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kushti i dytë ishte ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

“E di se sa të rinj ka ky vend, propozimi i Komisionit Europian ishte shumë i qartë se janë dy kushte që duhet të plotësohen për viza. Janë: Kosova ta përmirësojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe këtu është arritur progres dhe e dyta është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Këtu nuk ka pasur progres. Dua të them shumë qartë dhe nuk ka nevojë të bërtas: Është Koha e fundit që të ratifikoni demarkacionin me Malin e Zi. Kjo do e zhbllokojë liberalizimin e vizave të Kosovës”, ka thënë Mogherini.

“Është në përgjithësi të Kosovës që t’i bëjë këta hapa. Jam e bindur se partitë parlamentare nuk do t’i bëjnë dallimet dhe të jenë të qarta se kur vjen puna tek interesat e popullit, ata e kanë përgjegjësinë që të tejkalojnë politikën dhe debatet dhe së bashku të kërkojnë rrugën e pajtimit që të përparojë Kosova. Besoj se partitë do të gjejnë një mënyrë për t’u pajtuar dhe për të ratifikuar marrëveshjen”, ka porositur ajo.