Peter Singer

“Tërë kjo është gabuar!” Këto fjalë fillojnë fjalimin më të fuqishëm prej katër minutash që kam dëgjuar ndonjëherë. Ato u thanë nga Greta Thunberg, aktivistja adoleshente suedeze në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Veprim Klimatik muajin e kaluar dhe kjo erdhi pas një jave grevash dhe marshimesh ku morën pjesë rreth gjashtë milion njerëz.

Marshuesit ishin kryesisht të rinj, të cilët do të duhet të përballen më shumë me kostot e ndryshimeve klimatike sesa liderët të cilëve po u drejtohej Thunberg. Prandaj, toni i saj i zemëruar ishte i përshtatshëm, siç ishte edhe lajtmotivi i fjalimit të saj: “Si guxoni?” Ajo akuzoi liderët botërorë se po u vidhnin të rinjve ëndrrat me fjalë boshe. Si guxojnë ata të thonë se po bëjnë sa duhet? Si guxojnë të pretendojnë se “biznesi, si zakonisht”, i shoqëruar me zgjidhje teknologjike ende të pazbuluara, do ta zgjidh problemin?

Thunberg e justifikoi zemërimin e saj duke theksuar se shkenca e ndryshimeve klimatike është e njohur prej 30 vjetësh. Liderët botërorë kanë kthyer kokën në anën tjetër, ndërsa mundësitë për një kalim në kohë në një ekonomi me zero emetime gazi serrë tashmë ikën. Tani, edhe përpjekja heroike për përgjysmimin e emetimeve gjatë dhjetë viteve të ardhshme, theksoi Thunberg, do të na jepte vetëm 50 për qind mundësi për të mbajtur ngrohjen globale nën 1.5º Celsius.

Tejkalimi i këtij kufiri rrezikon të shkaktojë reagime të pakontrollueshme që do të çojnë në ngrohje të mëtejshme globale. Thunberg iu referua raportit të Panelit Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike që tregon se për të zvogëluar rrezikun e tejkalimit të 1.5 gradë celsius, do të duhet të kufizojmë emetimet globale të dioksidit të karbonit nga tani deri në vitin 2050 në 350 gigatonë. Me ritmin aktual, ne do ta tejkalojmë këtë kufi deri në vitin 2028.

Sipas Indeksit të Performancës së Ndryshimeve Klimatike, asnjë qeveri në botë nuk ka arritur ende një performancë “shumë të mirë” në mbrojtjen e klimës së botës. Suedia, Maroku dhe Lituania aktualisht po bëjnë më të mirën, me Letoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar jo shumë pas tyre. Shtetet e Bashkuara janë në pesëshen e fundit, së bashku me Arabinë Saudite, Iranin, Korenë e Jugut dhe Tajvanin.

Çështja etike nuk është e vështirë të gjykohet. Për vendet e pasura të cilat janë përgjegjës për pjesën më të madhe të CO2-shit që është tani në atmosferë, nuk mund të ketë asnjë justifikim etik për vazhdimin e emetimit të gazrave serrë në nivele shumë më të larta për frymë sesa njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta që do të vuajnë më shumë nga ndryshimet klimatike. T’u imponosh atyre një mundësi që ta tejkalojnë ngrohjen përtej 1.5 gradë është njësoj si të luash një lloj ruletë ruse, njësoj si t’i kishim vënë një revolver në kokat e dhjetëra apo ndoshta qindra miliona njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta – vetëm se tani e kemi mbushur revolverin tonë me dy plumba dhe jo me një. Për vendet e pasura, nga ana tjetër, kalimi i kërkuar në një ekonomi të pastër do të sillte disa kosto, por në planin afatgjatë do të shpëtonte jetë dhe do të ishte në dobi të të gjithëve,

Si do të mbërrijmë në këtë pikë?

Thunberg e përfundoi fjalimin në mënyrë pozitive: “Nuk do të lejojmë që t’ia hidhni lehtë me këtë. Kufirin e vendosim këtu dhe tani. Bota po zgjohet dhe ndryshimi po vjen, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo.”

A munden të rinjtë ta bëjnë botën vërtet të hapë sytë drejt nevojës urgjente për të marrë një tjetër drejtim? A mund t’i bindin prindërit e tyre? Grevat në shkollë do të shqetësojnë prindërit, sidomos ata prindër që më pas duhet të rregullojnë kujdesin e fëmijëve, por a do të ndikojnë te drejtuesit politikë? Çfarë mund të bëhet për të mbajtur klimën në agjendë, derisa qeveritë të bëhen serioze për uljen e rrezikut të një katastrofe?

“Exctinction Rebellion”, një lëvizje ndërkombëtare që filloi vitin e kaluar me një Deklaratë Rebelimi në Londër, përkrah mosbindjen civile. Ajo i bën thirrje mijëra aktivistëve që të bllokojnë rrugët dhe të bllokojnë sistemet e transportit në qytete të mëdha në botë, jo vetëm për një ditë, por për një kohë të gjatë për të imponuar kosto reale ekonomike për qeveritë dhe elitat e biznesit, e gjithë kjo ndërsa ruajnë një disiplinë absolutisht jo të dhunshme edhe përballë shtypjes së qeverisë.

Mosbindja civile u përdor për herë të parë si pjesë e një lëvizjeje masive nga Mahatma Gandhi (i cili këtë vit festoi 150 vjetorin e lindjes) në Afrikën e Jugut dhe më pas në Indi. Në Shtetet e Bashkuara, përkrahësi i tij më i famshëm ishte Martin Luther King, Jr., në luftën kundër ndarjes racore. Mosbindja civile luajti një rol, së bashku me forma të tjera proteste, në përfundimin e Luftës së Vietnamit. Në secilin prej këtyre shembujve, përdorimi i mosbindjes civile tani konsiderohet gjerësisht si guximtare dhe e drejtë. Në të gjithë botën ka statuja për Gandhin dhe në ShBA ditëlindja e Martin Luther Kingut është festë kombëtare.

Dështimi i qeverive në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë nuk është më pak e gabuar sesa sundimi britanik në Indi, mohimi i të drejtave të barabarta për afro-amerikanët, apo sesa lufta në Vietnam, dhe ka gjasa të shkaktojë dëm në një shkallë shumë më të madhe. Pra, mosbindja civile gjithashtu do të ishte e drejtë nëse mund t’i bindë qeveritë të ndjekin shkencën dhe të bëjnë atë që është e nevojshme për të shmangur ndryshime klimatike katastrofike.

Mund të ketë forma të tjera efikase protestash jo të dhunshme që askush nuk i ka provuar ende. Thunberg u bë e njohur për herë të parë se qëndronte e vetme para parlamentit të Suedisë duke mbajtur në dorë një pankartë ku thuhej “Grevë në shkollë për klimën”. Askush nuk mund të kishte parashikuar dot se kjo vajzë atëherë 15-vjeçare do të fillonte një lëvizje të mbështetur nga miliona të rinj dhe do të mund t’u drejtohej liderëve botërorë. Ne kemi nevojë për ide më inovative në lidhje me mënyrën më të mirë për të përçuar urgjencën e kësaj situate dhe nevojën për të bërë ndryshime të mëdha. /Project Syndicate/BIRN/