Dëgjimi i “Bombave” mund të zbulojë se kush janë porositësit dhe dorasit e vrasjes së pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës 7 vjet më parë, vlerëson pala mbrojtëse e familjeve të dëmtuara. Seancat e fundit të rastit “Monstra” u zhvilluan me dyer të mbyllura për publikun, pasi u dëgjuan dëshmi me masa të posaçme hetimore. Por, avokatja Dafinka Ivanovska tha se pas tri seancave, në Gjykatën Penale do të prezantohen bisedat e përgjuara, të njohura si “Bombat” e paralajmëruara nga ish kreu i opozitës së atëhershme Zoran Zaev. Kush me kënd ka folur dhe çfarë është thënë përmes telefonit, ajo tha do të mësohet së shpejti.

Tash për tash ende dëgjohen bisedat e përgjuara, të cilat ishin prezantuar edhe më parë. Nuk ka edhe aq biseda të reja, por vetëm disa me kërkesë të Prokurorisë dhe mbrojtjes, por kryesisht nuk dallojnë shumë. Tani këtë e di prokurori special sepse ata kanë ‘armën’ e dëshmive në dorë. Ata i kanë propozuar këto dëshmi, kurse çfarë do të del prej tyre do të shohim në vazhdim”- Dafinka Ivanovska, Avokate e të dëmtuarve.

Nga pala mbrojtëse e të akuzuarve thonë se fati i së vërtetës së “Monstrës” është në duart e PSP-së. Avokati Naser Raufi tha se me ridëgjimin e provave po vërtetohet serish se të akuzuarit nuk janë kryerësit e veprës penale për të cilën gjykohen. Raufi tha se Specialja ende nuk ju ka ofruar të ashtuquajtura “bomba”, të cilat sipas tij për shkak të rastit të ndjeshëm, paraprakisht duhet t’i dëgjojnë avokatët.

Ne si palë mbrojtëse nuk kemi aq pyetjen kruciale se kush ka vepruar. Për neve është më me rëndësi se këta nuk janë vepruesit. Puna e Prokurorisë është t’i gjej ata fajtorët. Unë mendoj se atë do të arrij këtë Specialja, sipas deklaratës së prokurores speciale do ta detektojnë se kush janë realizuesit e këtij krimi”- tha Naser Raufi, avokat i të akuzuarve .

Rasti “Monstra” në shkurt të vitit të kaluar nisi nga fillimi pas marrjes së lëndës nga PSP-ja. Për vrasjen e katër të rinjve dhe një peshkatari, Gjykata Penale me burg të përjetshëm dënoi Afrim e Agim Ismajloviq, Hevzi e Haki Aziri, Halil Demiri dhe Sami Luta. Gjykata Supreme e shfuqizoi këtë vendim në dhjetor të vitit 2017, duke i liruar katër të akuzuarit nga burgu në masa të kujdesit të shtuar. Kurse, Halil Demiri dhe Afrim Ismajloviq gjykohen në mungesë, pasi që janë arratisur në Kosovë, menjëherë pas ngjarjes së 12 prillit të vitit 2012./Alsat/