Rigjykimi i rastit “Monstra” nuk do t’i ngjajë itinerarit dhe mënyrës si deri më sot, kur prej vitit 2010 e këndej u procedua lënda gjyqësor për rastin e “Sopotit” e që nuk po sheh fundin, shkruan gazeta KOHA.

Zbardhja e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës dhe konstatimi i pafajësisë së gjashtë shqiptarëve të akuzuar, sipas avokatit Naser Raufi, do të realizohet me një dinamik më të shpejtë dhe më profesionale. Nismat e shumta, plotësimi apo ndryshimi i ligjeve të ndryshme në sferën e gjyqësorit, për palën mbrojtëse në rastin “Monstra” janë tregues i mjaftueshëm se zvarritja ose prolongimi i fillimit të rigjykimit të kësaj lëndë nuk do të ndodhë.

“Besoj se reformat të cilat kanë filluar në gjyqësor do të reflektojnë pozitivisht edhe në rastin ‘Monstra’. Nuk pres që kjo lëndë të zvarritet dhe të shtyhet ashtu siç ishte rasti me Sopotin, për shkak se këtë lëndë vite me radhë e ka shqyrtuar një sistem i fëlliqur i gjykatave dhe i prokurorisë. Vlen të theksohet se pasi Sopotin e morri përsipër ta procedoj PSP, dinamika e punës u shpejtua, respektivisht brenda disa seancave pres që kjo lëndë të përmbyllet”, tha avokati Raufi, për gazetën KOHA.

Ai mes tjerash shton se sistemi gjyqësor dhe ai prokuroria lëndën për “Sopotit”,  nuk e ka trajtuar në formën e duhur për këtë arsye ajo vazhdimisht është prolonguar. Pala mbrojtëse e të akuzuarve për rastin “Monstra” thekson se pavarësisht faktit se nga përmbajtja ky rast është i ngjashëm me “Sopotin”, rrethanat aktuale kanë ndryshuar dhe se prolongimet e paarsyeshme, obstruksionet dhe pengesa për zbardhjen e vrasjes se pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, assesi nuk duhet të ndodhin.

Institucioni më shpresëdhënës për zbardhjen e “Monstrës” por edhe rasteve tjera të montuara pa dyshim është Prokuroria Speciale Publike, nga e cila nënvizojnë se edhe më tej nuk ka asgjë të re këtë drejtim. Prokurorja speciale, Lençe Ristovska, me këtë rast u përgjigj shkurtë dhe tha se koha kur ata do ta kërkojnë rastin “Monstra”, ende nuk dihet. Hapi vendimtar i cili do të bëj dallimin mes “Monstrës” dhe “Sopotit” në aspektin kohor të shqyrtimit, sipas avokatëve, do të jetë zgjedhja e kryeprokurorit të ri, i cili në mënyrë indirekte do të ndikojë në reformimin e Prokurorisë për krim të organizuar.

Ndikim shtesë në zbulimin e autorëve të vërtetë të vrasjes së katër të rinjve maqedonas dhe bashkëqytetarit të tyre, siç thotë avokati Naser Raufi, do të ketë plotësimi i Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Kësisoj, në seancën e mbajtur më 15 nëntor, Qeveria vendosi që ky propozim-ligj të dorëzohet në procedurë parlamentare, e cila prite të futet në rend të ditë deri nga fundi i vitit. Maltretimet e llojit të paraqitjes së kotë në gjykatë të të akuzuarve të Sopotit dhe harxhimeve materiale që u janë bërë atyre, avokati Naser Raufi, nuk pret që të ndodhin edhe në rastin e “Monstra”. “Katër apo pesë seanca gjyqësor besoj se mjaftojnë që rasti ‘Monstra’ të zbardhet plotësisht. Ne si avokatë, njëherësh do të kërkojmë nga prokuroria që statusi i dy të akuzuarve që për momentin janë në Kosovë, Halil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, të bëhet i njëjtë me ato që para disa dite u liruan.

Fillimisht do ta rregullojmë punën me Prokurorinë për krim të organizuar, e cila duhet t’i largojë fletë-arrestetet dhe më pas do të bëjmë apel që Halili dhe Afrimi të kthehen në Maqedoni, përndryshe mund të del ndonjë problem”, theksoi Raufi. Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme që të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës që ndodhi në prill të vitit 2012, të mbrohen në liri, është i dytë me radhë i këtij lloji, pas vendimit të Parlamentit, i cili në viti 2009 vendosi që banorët e fshatit Sopot të Kumanovës të rigjykohen dhe të mbrohen në liri. Megjithatë, edhe pse një vendim i tillë është miratuar para 8 viteve, Gjykata Penale e Shkupit edhe më tej nuk e konstatuar pafajësinë e katër të akuzuarve në rastin e Sopotit, të cilin nga viti 2003 e deri në vitin 2010 padrejtësisht qëndrua në burg.