Abdulla Mehmeti

Gjatë ditëve të ardhshme, sa do të zgjasë fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, ne do të vazhdojmë me argumente ta arsyetojmë thirrjen për protesta gjatë ditës kur do të mbahen këto zgjedhje, më 11 dhjetor 2016.
ARSYEJA E PARË për organizimin e protestave, pikërisht ditën e mbajtjes së zgjedhjeve është se: përkundër të gjitha apeleve, kërkesave dhe vërejtjeve nga sektori civil, mediumet dhe qytetarët, drejtuar subjekteve politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje dhe institucioneve përkatëse të shtetit për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë hasur në veshë të shurdhër dhe të njëjtat nuk kanë ndërmarrë asnjë aktivitet konkret për krijimin e kushteve më elementare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, drejta dhe demokratike, ndërsa kjo dëshmon hapur se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të organizohen në regji të pushtetit aktual, i cili publikisht u identifikua dhe denoncua nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar si gjenerator i krizës së thellë politike në vend, si bartës i krimit të organizuar, keqpërdorues i institucioneve të shtetit, vjedhës i pasurisë shoqërore dhe shitës i interesave kombëtare e shtetërore.
Bartësit e pushtetit aktual shpresojnë se edhe më tej mund t’i mbajnë peng proceset demokratike në vend, se mund ta ndrydhin vullnetin e qytetarëve për një të ardhme më të mirë, progres shoqëror dhe zhvillim ekonomik, si dhe t’i shtyjnë deri në pa kufij integrimet në strukturat euroatlantike.
Ne u themi hapur se, ka ardhur koha për ndryshime dhe nuk ka forcë që mund ta ndalë këtë proces!
Prandaj, edhe gjatë ditëve të ardhshme do të vazhdojmë me publikimin e arsyeve të tjera për organizimin e protestave më 11 dhjetor 2016.

BASHKOHUNI ME NE!

(16.11.2016)