Sermet Sulejmani

Of, aman! Ju s’më pyetkëni ç’mendim kam për budallenjët e mëhallës? E unë i gjori mendoja…pa, pa, për kooficientin e intelegjencës së komandantëve tanë.
– Ja ky?… Që kur zbriti maleve të Sharrit, gjeti e nguli një kunj mu në mes të dhomës së burrave dhe varte atë kapelën e tij me një shenjë shqiponje në mes, saherë që vinte nga betejat, siç thoshte ai, ”gjoks më gjoks me armikun”. E unë i mjeri i molisur, sa nga skamja, po aq dhe nga mjerimi që kishte kapluar kasollën time e mezi mbaja gjallë fëmitë dhe gruan. S’kuptoja ç’po ndodhte. Luftë thonin. Luftë për t’u bashkuar me Shipninë. E ç’luftë, vetëm ata dhe një zot e dinte. Unë dija vetë një gjë që tridhjetë e tre delet e mia u tretën për pa kaluar dy muaj në hedh nga këta zullumqarë, që ditë e natë hanin mish në zgarë dhe këndonin këngë me qifteli… Këtë njeri të ”madh” e pashë pas luftës me musketierët e tij kur erdhën të kërkonin votën në këmbim të lirisë që na e premtuan. S’i thash gjë, përpos: ”Sa keni ngrënë mish dele, si duket aq do merrni edhe vota, komandant! Por mos harro një gjë se një ditë duhesh të m’i kthesh delet”. Më shikoi vëngër dhe eci pa folur as edhe një llaf, e, që nga ajo kohë, s’kam blerë edhe një dele të vetme… Edhe sot e gjithë këto vite i mallkoj, ashtu siç jam bërë dhe unë, të mos shohin ditë të bardha…kurrë!…